Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka mbajtur një qëndrim ndryshe nga ai zyrtar i parties, në lidhje me parullën e shkuar në hyrje të apartamentit ku banon ambasadori i OSBE, ku shkruhej “Borchardt shame on you”.
Ndonëse PD e dënoi këtë akt dhe kërkoi nga Prokuroria të zbulojë kush janë autorët, Paloka i ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora, tha se deklaratat e Borchardt ishin realisht të turpshme.
“PD ka mbajtur një qëndrim zyrtar dje, por unë kam një mendim ndryshe nga qëndrimi zyrtar.
U shkruajt “turp” për një deklaratë që për mua ishte realisht e turpshme dhe vetë zotëria e ndryshoi pak më vonë.
U akuzua opozita për dhunë kriminale dhe ndërkohë ishte sulmuar Sahit Dollapi, Tirana ishte e mbytur në gaz.
Për mua ishte një thirrje për përgjegjësi. Është një popull i ngritur kundër një kryeministri, që nuk e do më, 80% nga të gjitha sondazhet, madje edhe funksionarë socialistë duan që Rama të largohet, jo se nuk e duan PS.
Pra kemi një popull përballë një kryeministri që i dalin krah në mënyrë të habitshme disa ambasadorë”, tha Paloka.