Zbulimet e publikuara të martën nga një grup shkencëtarësh nga Vjena dhe Tirana paralajmërojnë për pasoja negative te lumi Vjosë nga shfrytëzimi i tij për hidrocentrale.
Një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Burimeve Natyrore në Vjenë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës prezantuan të martën në Tiranë rezultatet e një studimi 2-vjeçar mbi lumin Vjosë.
Sipas ekspertëve të angazhuar në studimin e sedimenteve të lumit Vjosë dhe ndikimin e dy hidrocentraleve përgjatë tij në Poçem dhe Kalivaç, HEC-et do të ndikonin negativisht në rrjedhën natyrore të sedimenteve.
Dr. Christoph Hauer nga Instituti i menaxhimit të ujit, hidrologjisë dhe inxhinierisë hidraulike në Vjenë vlerësoi se për shkak të ritmeve të larta të transportit të sedimenteve të Vjosës, mostrat tregojnë një humbje vjetore të rezervuarit prej rreth 2% në rastin e Kalivaç-it dhe më shumë se 2% në rastin e Poçemit.
“Kjo është më shumë se dyfishi i mesatares globale të humbjeve të akumuluara vjetore, gjë që redukton ndjeshëm prodhimin e energjisë duke filluar nga viti i parë i operimit “, tha ai.
Ekspertët vlerësuan se kjo pritet të ketë kosto tepër të larta ekonomike për menaxhimin dhe trajtimin e sedimenteve nëse do të synohet të shmangen problematikat teknike.
Studiuesit gjithashtu vlerësuan se mungesa e transportit të sedimenteve do të çojë në fragmentizimin e shtratit të lumit në rrjedhën e poshtme, duke ndikuar në nivelet e ujërave nëntokësore dhe do të shkaktojë erozion bregdetar si dhe humbje të biodiversitetit.
Për drejtuesin e organizatës mjedisore EcoAlbania, fokusuar tek mbrojtja e biodiversitetit të Vjosës, Olsi Nika rezultatet e studimit provojnë se qeveria shqiptare nuk do të përmbushë pritshmëritë energjetike që ka në Vjosë.
“Përkundrazi, këto projekte do të sjellin vetëm një situatë humbjeje të trefishtë – në aspektin ekonomik, mjedisor dhe social “, tha Nika.
E pranishme në prezantimin e studimit, Theresa Schiller, koordinatore e fushatës “Save the Blue Heart of Europe” nga EuroNatur, e cila nxit për mbrojtjen e lumenjve në Europë, tërhoqi vëmendjen ndaj rëndësisë së mbrojtjes së Vjosës.
“Vjosa është lumë i rrallë në Europë dhe duhet të ruhet si pjesë e trashëgimisë sonë natyrore. Projektet e hidrocentraleve do ta shkatërrojnë krejtësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme këtë ekosistem unik lumor”, tha Schiller.
Ekspertët paralajmëruan qeverinë se HEC-et do të kenë efekte të dëmshme në sektorin e turizmit dhe atë të bujqësisë në pellgun ujëmbledhës të Vjosës, që është një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë.
Në vitin 2017, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh regjistroi gjatë një ekspedite të shkurtër qindra gjallesa të reja në lumin Vjosë, dy prej të cilave të panjohura më parë për shkencën, duke shtuar zërat për mbrojtjen e basenit të tij nga projektet për ndërtimin e hidrocentraleve.
Planet për hidrocentrale janë kritikuar vazhimisht nga aktivistët mjedisorë, banorët e zonave dhe Parlamenti Europian në vitet e fundit. Ato janë parë si një rrugë e shkurtër e ndërmarrë nga qeveria për shfrytëzimin e lumenjve, në kurriz të pasojave të rënda për mjedisin, banorët dhe të ardhmen e vendit.