Dy ditë më parë qyteti i Vlorës u trondit nga një atentat në autostradën Vlorë-Levan. 33-vjeçari Romarjo Alliaj pavarësisht breshërisë së kallashnikovit që u derdh mbi të, arriti të shpëtonte pas devijimit të makinës për në kanal.
Në një rrëfim për Balkanweb, ai tregon çdo detaj për ngjarjen si dhe dyshimet e tij mbi atentatin.
Ngjarja u shënua dy ditë më parë në Urën e Mifolit, ndërsa ndaj të riut u qëllua me breshëri kallashnikovi.
Ai udhëtonte vetëm në momentin e atentati ku përfundoi me lëndime të lehta nga aksidentimi i makinës.
33-vjeçari tregon se gjithçka erdhi pas një bisede telefonike të bërë një ditë me parë me disa persona për një borxh.
Ai thotë se kishte hyrë ndërmjetës tek një miku i tij për borxhin që nuk ishte kthyer dhe një ditë para atentatit i kishte marrë në telefon dhe iu kishte bërë presion për të kthyer paratë. Por jo që situata të agravonte në të tillë ngjarje.
33-vjeçari tregon se makina që e ndoqi dhe qëlloi në autostradë ishte një “BMW” gri e errët.
“Isha nisur për në Elbasan. Fillimisht më qëlluan nga ana e shoferit, 2 plumba kapën makinën. Më pas unë kalova nga ana e pasagjerit dhe makina nisi të ngadalësonte. Makina e autorëve kaloi paralel me mua dhe më qëlluan në breshëri. Pastaj sa e shkrepi të gjithë në makinë erdhën plumbat, mbi 20 plumba nga dera e shoferit. Shpëtova se ndaloi një kamion dhe autorët ikën”, tregon 33-vjeçari, i cili akuzon policinë se nuk i ka marrë në pyetje dëshmitarët që nga kamionisti.
I riu thotë se ishin tre persona në makinën nga u qëllua, dy përpara dhe një pas, të tre me maska. “Vetëm ai pas ka qëlluar. Makina ishte me targa franceze pas, para nuk i kishte targat”, tregon ai.
Fjala e fundit e Marios është se nuk ka besim tek policia dhe tek askush. Ai thotë se do t’i zgjidh vetë problemet e tij.
“S’kam besim as tek policia dhe as tek njeri fare. Ky ishte muhabet shoqëror, ishte në rrjet shoqëror. Unë me ta kam ngrënë e kam pirë. Unë i zgjidh vetë problemet e mia. Policia është deri ku i takon. Nuk kam besim fare as tek kjo që kam veshur. Edhe atë e kisha shok të ngushtë, kisha shumë besim por erdhi për të më vrarë. S’kam besim fare as tek policia, as tek askush. Janë çështje që i zgjidh vetë. Nuk më hyn fare në punë policia”, thotë Mario.
/a.rada