Fahri Balliu i ftuar në studion e emisionit ’45 Minuta’ të drejtuar nga Denis Minga u shpreh se Partia Demokratike është gati që të marrë pjesë në zgjedhje lokale nëse Rama ikën nga posti i kryeministrit.
“Ky kryeministër ka dhjetëra hektarë me kanabis, tani që po flasim në Krujë, Fushë Krujë dhe disa zona të tjera. Ky është kryeministri më zarar plotë.
Ky mendon se me lloqe, batuta dhe tallje do e hedhë.
Vetë PS-ja duhet të ngrihet ti tregojë vendin këtij. Nëse PS-ja zgjedh një tjetër kryeministër ne shkojmë në zgjedhje lokale, por do të lëvizë data se do të përgatitemi sikur është përgatitur ky”, tha Balliu.
Balliu vlerësoi rolin e LSI-së duke theksuar se aleanca e PD-së me partinë e drejtuar nga Monika Kryemadhi i siguron fitoren koalicionit opozitar.
“Unë mendoj që ndërkombëtarët kanë të drejtë dhe të mos pranojnë djegien e mandateve, pasi janë bashkëfajtorë që nuk e ndëshkuan rrugën e Ramës, që filloi me kanabisin.
PD-ja do të shpërblejë protestuesit që u lanë në burg sot.
Ata që hodhën shishe molotov, herën tjetër të hedhin dy.
Policët e kanë jetën për t’u përballur me të keqen, kur e keqja është politike nuk e ndëshkon dot.
Institucioni është qytetari dhe jo muri i Kryeministrisë.
Dalja në skenë e LSI-së ishte fat i politikës shqiptare.
Kam qenë për bashkëpunim e PD dhe LSI-së, pasi me këto dyja bashkë PS nuk fiton asnjëherë.
Prandaj Basha ka mësuar nga historia dhe ka bërë një përzgjedhje të shkëlqyer.
PD-LSI të bashkuar bëjnë çelikun. LSI është parti e vlera kombëtare. Ajo anon andej nga po rrezikohet Shqipëria”, tha ai.
Për Balliun, presidenti mund të luajë një rol në zgjidhjen e krizës, ndërsa shtoi se protestat e opozitës do të vijojnë.
“I vetmi faktor i pacenueshëm është presidenti, që është një figurë që ka mbajtur distancë nga partitë, dhe mund të luajë rolin e vet në këtë situatë.
Në 30 qershor zgjedhje nuk do të ketë, por zhvillime po.
Ndërkombëtarët të marrin në mbrojtje qytetarët dhe jo qeverinë”, tha ai.
/a.rada