Nga Ilir Yzeiri
Protesta e ditës së shtunë e opozitës jashtëparlamentare, e frymëzuar nga Berisha dhe e udhëhequr nga Basha e Monika, ishte një shfrim i dëshpëruar i një detashmenti politik të trembur që, në gjithë këtë kohë, është i rrethuar me heshtje vrastare nga pjesa më e madhe e shqiptarëve që i sheh me keqardhje, dhe nga gjithë komuniteti botëror dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, të cilët i kanë rrethuar me heshtje. Vetëm Rusia e Putinit, e cila është shprehur hapur se nuk e do orientimin perëndomor dhe proeuroatlantik të Ramës, e mbështet Lulëzim Bashën dhe, ashtu si ai, ëndërron që Edi Rama të rrëzohet dhe Shqipëria të ndizet në flakë.
Protesta e ditës së shtunë ishte, gjithashtu, një shfrim i dëshpëruar i njerëzve të trembur të cilët kanë kohë që kanë projektuar si armik godinat qeveritare dhe policinë dhe, të vetëdijshëm se nuk mund t’i shembin apo t’i djegin ato godina, qëllojnë me molotov, hedhin bojë dhe gurë mbi ato godina dhe mbi policët e këtij shteti dhe pastaj ia fusin vrapit. Kur policia i kap dhe i trajton ashtu si të gjithë keqbërësit e tjerë, Lulëzim Basha niset drejt godinave të policisë dhe, si ai që ka gëlltitur okllainë, ecën mes nja dhjetë a dymbëdhjetë burrash që e ruajnë një zot e di nga kush, vihet përballë godinës së policisë dhe protestuesit e dëshëpëruar e të trembur, marrin zemër përsëri dhe nisin të hedhin andje nga muret dhe nga policët e shtetit molotovë dhe gurë.
Protesta e së shtunës e opozitës ishte aq e çorganizuar dhe dëshpëruese dhe protestuesit ishin aq të trembur sa siç thotë një fjalë e urtë « iu bë ferra Brahim ». Viktimë e këtij dëshpërimi, e kësaj frike dhe produkt i këtyre njerëzve të trembur ishte dhunë makabre mbi një djalë nga Puka, opozitar, të cilin e morën për « polic të infiltruar » dhe e rrahën në mënyrë barbare. Për të nxjerrë dufin e dëshpërimit atyre nuk iu bënë më sytë dritë dhe ranë viktimë edhe e asaj që në këto luftërat e reja quhet « fuoco amico », pra zjarri mik. Kameramani i Televizioni « Ora Nwes » që ka mbi tre apo katër « trapeza politike » ku serviret koka e Edi Ramës si e keqja e botës, pra televizioni « mik » ra viktimë e « zjarrit aleat » dhe një kameraman i këtij rrjeti u dhunua dhe kamera e tij u shpartallua. Te Drejtoria e Policisë u sulmua edhe trupa e Televizionit « Report tv ». Dhe për ta përmbyllur këtë shfrim kaotik dhe të dëshpëruar njerëzish të trembur, Lulëzim Basha apo shtabi i tij i luftës me mullinjtë e erës hodhi në veprim edhe një armë tjetër : paskuinat- parrullat në mure. Në hyrjen e banesës së ambasadorit të OSBE-së u shkruajt një parrullë në anglisht : BROCHARDT SHAME ON YOU. Kreu i OSBE-së në Tiranë kishte dënuar ashpër dhunën e shfaqur në protestë. Ky gjest ndaj një zyrtari të lartë europian është i pari veprim i hapur aniteuropian. Pas vrasjes së kolonelit Thompson nga esadistët, ky gjest, në këta 30 vjet, është i pari dhe hap kështu udhën e agresionit guerrilas ndaj institucioneve europiane që janë instaluar në vendin tonë. I shkruar në hyrjen e banesës, pra në vendin intim familjar, ai përcjell disa mesazhe. Por, nënteksti më i turpshëm që nuk shkon me kodin shqiptar të respektimit të mikut është se ata që e kanë urdhëruar këtë agresion guerrilas kanë dashur t’i japin një mesazh ambasadorit të OSBE-së në Tiranë duke i thënë që ne ta dimë shtëpinë dhe e dimë se ku jeton. Ky është një mesazh mafioz dhe prej batakçinjsh të vrerosur e frikacakë. Ashtu siç bëjnë çdo ditë me banesën e Edi Ramës duke e artikuluar atë me gjithë retorikën e dhunës dhe të poshtërimit, po ashtu duan të bëjnë këtë radhë edhe me banesën e ambasdorit të OSBE-së. A thua të jetë ky një mesazh edhe për ambasadorët e tjerë ?
Protesta e së shtunës e opozitës, ashtu si gjithmonë, prodhoi edhe situata komike. Spektatorët e shumtë që e ndiqnin atë « live », po prisnin fundin, atë çastin magjik kur Luli këndon Himnin Kombëtar, por kjo nuk ndodhi, sepse Luli, mesa duket i rrethuar nga tymi e zjarri i molotovëve, mund ta ketë harruar tërësisht tekstin ose, i gjendur ashtu në atë dekor si në filmat hollivudianë mund t’i jetë dukur vetja si Çak Norris dhe e la veten të mbështillet më shumë me pelenat e heroit dhe jo me aureolën e këngëtarit. Mirëpo, në të dyja rastet, të gjithë ranë në ekstazë kur dëgjuan zërin e tij të papërsëritshëm që arrin nga akutet lart deri të grafiatot poshtë, ndërsa gjestikulacioni i tij me duart e drejta që ngrihen lart e poshtë të kujtojnë një nga ato manekinët e Teatrit të Kukullave ku duart, këmbët dhe lëvizjen e trupit i komandon një tjetër dhe zërin e bën aktori që ose rri poshtë skenës ose lart.
Për hir të këtij përshkallëzimi dëshpërues që po merr protesta e frymëzuar nga Berisha dhe e drejtuar nga Basha e Kryemadhi, po mundohem të ripërsërit për të njëmijtën herë atë që dimë të gjithë për funksionin e demokracisë në një vend thuajse normal.
Qyshse kemi pranuar pluralizimin politik, pra të qyshse kemi sanksionuar me ligj se pushteti politik në Shqipëri alternohet me anë të zgjedhjeve dhe partitë politike marrin pjesë në to, qysh nga ky moment, shoqëria është ndarë në dysh : nga njëra anë është populli që zgjedh dhe nga ana tjetër janë partitë politike që konkurojnë për të fituar pushtetin. Zgjedhjet i organizojnë dhe i realizojnë partitë politike, të cilat, sapo ulen në Kuvendin e Shqipërisë miratojnë ligje që rregullojnë Reformën Zgjedhore sipas standardeve më të mira demokratike.
Mirëpo ç’ndodh ? Sa herë që votojnë shqiptarët partitë politike grinden dhe me vështirësi e pranojnë rezultatin. Katër vitet në të cilat do të qeverisë ajo forcë politike që ka fituar zgjedhjet kthehen në një makth dhe në një dhunë mbi votuesit, sepse forca humbëse i mban gjithë kohës në rrugë i fton të protestojnë natë e ditë a thua se shqiptarët nuk kanë asnjë shqetësim tjetër, por si e si të sjellin në pushtet herë njërin e herë tjetrin lider politik. Kjo tragji-komedi e shëmtuar ka arritur kulmin qyshse Lulëzim Basha u zgjua nga gjumi dhe pasi Berisha e shkundi mirë dhe i tha se Edi Rama të ka vjedhur, na ka mashtruar se Edi Rama kështu e ashtu dhe ne duhet të dalim në rrugë. Në fakt Berisha kishte dhe ka hall tjetër, por kjo është histori më vete. Përsëri ai që e pëson është populli. 30 vjet kështu.
Lulëzim Basha, që e mban veten edhe si të kënduar e të shetitur, duhet ta dijë shumë mirë se lufta për të ndrequr sistemin e korruptuar elektoral bëhet me ligje dhe jo duke çmendur miletin. Lulëzim Basha dhe Sali Berisha janë pjesë e establishmentit politik, nuk janë pjesë e popullit. Populli ka shqetësime të tjera. Partitë politike nuk përfaqësojnë gjithë popullin, përfaqësojnë grupe të caktuara të tij. Vetëm në komunizëm narrativa diktatoriale thoshte që partia përfaqëson popullin. Edhe Lulëzim Basha, që, me zë te çjerrë, përmend popullin duhet ta dijë se ai përfaqëson një pjesë të popullit. Nëse hapësira publike nuk do të ishte zënë me dhunë nga ulërimat dhe molotovët e Lulëzim Bashës që kërkon atë që ai vetë e di se nuk e merr për një million vjet, sot populli do të kishte gjetur alternativa të tjera për të kërkuar përmirësimin e jetës së tij.
Protestat e studentëve ishin shembulli brilant se populli i ka njësoj partitë politike dhe atij nuk i interesojnë idiotësirat që shpreh opozita se zgjedhjet nuk bëhen me Edi Ramën apo broçkulla të tjera. Ajo protestë i tha Lulëzim Bashës dhe opozitarëve të tjerë : bëhuni seriozë ! Miratoni ligje dhe bëni një reformë elektorale të denjë për ne dhe mos rrini rrugëve. Rrugët dhe sheshet i administrojmë ne.
Mirëpo, Lulëzim Basha dhe frymëzuesi i tij Sali Berisha, duke mos e dashur opozitën dhe duke e sabotuar atë, iu turrën studentëve me fjalorin e ndyrë politik, i shpërndanë nga sheshet dhe i zaptuan ata ato hapësira publike, duke i bërë dëmin më të madh pluralizmit politik. Në këtë kohë vendi i tyre do të duhej të ishte në Parlament dhe aty të kishin nisur menjëherë çmontimin e reformës zgjedhore të 2008-së, votimin e të gjitha ligjeve që do të nxitonte përfundimin e reformës në drejtësi dhe hartimin e ligjeve dhe kuadrateve ligjore që do ta minimizonin abuzimin me zgjedhjet.
Në vend të kësaj, Lulëzim Basha kreu vetëvrasje dhe bashkë me Monën morën rrugët duke u larguar nga jeta politike vullnetarisht. Deputetët që qëndruan në Parlamnet si zonja Hajdari e zoti Murrizi e Koka dhe të tjerë që u futën më pas, si dhe krijimi i Bindjes Demokratike prej Astrit Patozit, janë një realitet i ri politik.
Po çfarë mund të ndodhë ?
Asgjë. Ne do të kemi një jetë parlamentare të qetë, një opozitë të re që po konstituohet me shpejtësi dhe do të kemi për disa kohë një formacion « jelekverdhësh » jashtë që do të protestojë pafundësisht. Vetëm se ata gjithnjë e më shumë do të dëshpërohen, do të mbyten në vetmi dhe do të rrethohen me heshtje.