Familja e majorit Klodian Tanushi në zonën e Freskut në Tiranë kanë hapur dyert e mortit. Mbrëmjen e së premtes, pas katër ditësh në gjendje të rëndë, majori Tanushi u nda nga jeta në Letoni, si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i një mine.
Për familjen e majorit, të afërmit tregojnë se ushtria, ka qenë një traditë.
“Ka qenë edhe I ati ushtarak, oficer ka qenë. Ky ka mbaruar shkollën tek Akademia Skënderbe, ka qenë drejtues në repartin e Gërdecit”, tregon Mehmet Çuka, daja i Majorit Klodian Tanushi.
Lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit të tyre, familjarët e mësuan nga mediat dhe janë në pritje të ardhjes së trupit.
“Nga mediat e kemi marre vesh, pastaj nga ministrja në internet. Nuk e dimë kur do e sjellin, nesër apo pasnesër”, tha daja i majorit.
Për ndarjen nga jeta të majorit, ka reaguar edhe prezenca e NATO-s në Letoni, ku major ishte në detyrë.
“Është dhimbje e madhe që sot ka ndërruar jetë Major Klodjan Tanushi. Ne i shprehim ngushëllimet tona më të thella bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve të tij. Pasi luftoi për jetën e tij, Major Klodjan Tanushi vdiq nga lëndimet e pësuara gjatë një detyre të EOD, në vijën e detyrës më 6 maj 2019, që mori gjithashtu jetën e nëntetares Zarife Hasanaj. Kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë. Në këto kohë dhimbjeje, mendimet tona shkojnë tek të dashurit, miqtë dhe kolegët e tij. Jeta e tij do të kujtohet”, thuhet në reagimin e NATO-s.
“Flamuri kombëtar në zi. Fatkeqësisht edhe Klodian Tanushi,ushtaraku ynë i angazhuar në misionin e NATOs ku humbi jetën dëshmorja Zarife Hasanaj,s’u mbijetoi dot plagëve!Ai u nda nga jeta si një dëshmor i atdheut e shembull i lavdishëm i sakrificës së Forcave tona të Armatosura”, shkruan kryeministri Rama për ndarjen nga jeta të majorit Tanushi.
Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka zgjedhur të shkoj personalisht për ngushëllime në banesën e majorit.
Dëshmorja e atdheut Zarife Hasanaj dhe majori Klodian Tanushi, jetonin të dy në zonën e Freskut në kryeqytet.
Në bazën e NATO-s në Letoni, flamuri shqiptarë është ulur në gjysmë shtizë, ndërkohë në Shqipëri, lamtumira e fundit dëshmorit të atdheut do ti jepet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. (Top Channel)
/a.rada