Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Major Klodian Tanushi nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në në Letoni. Tanushi ndërroi jetë mbrëmjen e sotme. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja Olta Xhaçka.
“Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forëard Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!”, shkruan Xhaçka.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se prindërve të majorit ua ka dhënë lajmin shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Bardhyl Kollcaku dhe zv.shefja e SHPFA, gjeneralë Manushaqe Shehu.
Paraditen e së hënës që lamë pas, gjeti vdekjen edhe ushtarakja tjetër shqiptare, Zarife Hasanaj, e cila u përcoll sot për në banesën e fundit me nderime shtetërore si Dëshmore e Atdheut.
g.kosovari