“Rama ik” ky është slogani që shoqëroi edhe në Gjirokastër kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kyedemokrati u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 11 Majit.
“Sot është 9 maj, Dita e Europës dhe sot nga Gjirokastra kjo energji e jashtëzakonshme, ngjitëse, frymëzuese për kauzën tonë të madhe i thotë çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike, moshës, krahinës, fesë, se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë si e gjithë Evropa. Me këtë ëndërr nisi kryengritja studentore 30 vite më parë, me këtë amanet u themelua PD. 30 vite tranzicion kanë qenë një udhëtim plot sakrifica drejt Evropës. Edhe ju Gjirokastritët keni qenë dëshmitarë të emigracionit drejt Greqisë. Kush s’e di se emigracionin dhjetëra të rinj e paguan edhe me jetë. Kush nuk e di rrugëtimin tonë plot sakrifica që është shkruar në memorien e nënave dhe baballarëve të Shqipërisë, e në veçanti të Gjirokastrës. 30 vite për të shkuar në Evropë, por edhe hapa për ta sjellë Evropën këtu. Nuk është rastësi se këto hapa janë marrë nga demokratët shqiptarë, nga PD, që nga anëtarësimi në KE, nënshtkrimi i MSA, marrja e ftesës për në NATO, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave dhe marrja e statusit për vendin kandidat. Sot edhe njëherë po na thërret në skenë, në skenën e vendimit të madh politik, po na thërret vokacioni perëndimor, ndaj thirrja ime e parë ndaj aktivistëve tanë dhe ndaj qytetarëve tanë, shqiptarë e minoritarë: bashkohuni me 11 maj për Shqipërinë si e gjithë Europa.”
Basha, tha se nuk do ketë negociata pa dënuar politikanët që vodhën votat në 2017-ën.
“Nuk është thjesht beteja për rotacionin politik, sepse ai është i pashmangshëm, por është beteja për të drejtat dhe vlerat evropiane, duke nisur me votën e lirë. Nuk ka Europë për vendet që skanë votën e lirë dhe që qeverisen nga krimi. Nuk ka Europë në një vend që nuk respekton kriteret minimale të shtetit të së drejtës. S’ka Europë në një vend ku qeveria është bërë njësh me krimin dhe u ka dhënë oligarkëve të gjithë buxhetin e shtetit, tenderat dhe gjithçka.
Sot në këtë ditë të Europës mesazhet kanë ardhur të qarta për qeverinë e paligjshme të Edi Ramës. Mesazhi se pa u dënuar politikanët që vodhën zgjedhjet e 2017, Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Kjo është e vërteta, dhe jo pallavrat dhe propaganda e Edi Ramës, e cila buçet nga buritë e shpuara të televizioneve kombëtare të kapura nga paratë që u vidhen shqiptarëve.
Afërmendsh, sepse pa u ndëshkuar vjedhësit e votave, si mund të kemi zgjedhje të reja të lira e të ndershme. Beteja dhe zotimi ynë i parë është transformimi politik i vendit sipas standardeve europiane. Ne demokratët jemi të qartë e të vendosur. Në Evropë shkohet me zgjedhje të lira dhe me balancim pushteti e drejtësi të pavarur”.
/a.rada