Nga Kastriot Kotoni/
Çdo 9 maj popujt festojnë fitoren mbi nazifashizmin dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Antifashizmi i popullit shqiptar u njoh nga e gjithë bota. Ai e rreshtoi Shqipërinë në krahun e fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore me kontributin e vetë dhe sidomos me dëmet dhe pasojat që i shkaktuan hordhitë fashiste dhe naziste të cilat e pushtuan atë. Ditën e pushtimit të Shqipërisë së vogël nga Italia Fashiste në mediat botërore nuk kaloi pa vëmendje, sepse ajo paralajmëronte fatin e popujve të tjerë.
Lufta heroike e Mujo Ulqinakut me shokë tregoi se shqiptarët sado të vegjël në numër do të luftonin përballë një armiku disa mijëra herë më të shumtë në numër të armatosur deri në dhëmbë me armatimin më modern të kohës. Ky akt heroik i M. Ulqinakut e nderoi popullin shqiptar në sytë e botës dhe ishte një shembull për to që të sakrifikonin edhe jetën për lirinë e popujve të tyre. Në historinë e Luftës së Dytë Botërore pati dhe popuj që u gënjyen dhe u tradhtuan nga qeveritarët e tyre dhe forca e reagimit kundër pushtimit nazifashist, ose ishte e vonuar, ose nuk patën manifestuar me realizëm një qëndrim të hapur kundër boshtit së të keqes.
Aleatët e mëdhenj amerikanë, sovjetikë dhe anglezë e njohën luftën e drejtë nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe e përkrahën atë, si moralisht edhe materialisht. Kjo luftë e konfirmoi edhe njëherë popullin shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe u bë pjesë e tavolinave të politikës botërore. Fillim lufta me njësite guerile sipas modelit amerikan dhe më pas shtrirja e luftës në formacione ushtarake si brigada e divizione tregoi, se populli shqiptar për herë të parë në historinë e tij udhëhiqej nga parimet e luftës moderne dhe njihte të gjitha ligjet luftës. Ky moment në historinë e popullit tonë shënjon integrimin në formë dhe përmbajtje të një qëndrese për çlirim kombëtar të popullit shqiptar në vorbullën botërore njësoj me popuj e kombe të tjerë përparimtarë të vegjël, apo të mëdhenj për nga numri i popullsisë.
Dëshmorët e parë të kësaj lufte ishin me moshë rinore e cila nuk i kalonte të 25-at, fakt i pamohueshëm, i cili tregonte se Shqipëria e vogël në numër kishte trima të mbushur me urrejtje kundër pushtuesit, me moshë shumë të re të cilët frymëzuan me heroizmin e tyre qindra e mijëra të tjerë që u rreshtuan në radhët e formacioneve partizane. Krijimi njësiteve partizane me ish-robërit italianë është një gur i çmuar në mozaikun e madh të vlerave të Luftës Nacionalçlirimtare. Po ashtu siç është botërisht i njohur fakti, se në Shqipëri nuk është dorëzuar asnjë qytetar (hebre-izraelit). Në gazetën “Bashkimi” më datë 20 shkurt të vitit 1945 me titull “Izraelitët në Shqipëri: para dhe gjatë okupacionit dhe pas çlirimit nga okupatorët”, kemi një letër falënderimi për Gjeneral Kolonel E. Hoxhën nga zoti Ing Samuilo Mandil, i cili falënderon me mirënjohje të thellë publikisht udhëheqësin e popullit shqiptar për mbajtjen dhe strehimin e familjeve dhe qytetarëve hebrenj, që kishin ardhur nga Jugosllvia të përndjekur nga bisha nazifashiste. Kampet e tmerrshme të Shqipërisë dhe Italisë fashiste u mbushën me bij e bija të popullit shqiptar deri në kampet e shfarosjes në masë si ai më famëkeqi i Mathauzenit. Këto dhe betejat fyt më fyt me armikun janë dëshmi të një vetëdije kombëtare për çlirim kombëtar pa dallim krahine,feje dhe ide jetë popullit liridashës shqiptar.
Pa harruar masakrat e armikut si ajo e 4 Shkurtit, e Borovës dhe djegien dhe hedhjen në erë të shtëpive, vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Kjo luftë edhe pse kanë kaluar 75 vjet, ka hapur në këto 28 vjet një debat të paprincip të dhe të pamoralshëm, sepse klasa politike në kërkim të temave që e shkëpusin popullin nga realiteti i tyre social-ekonomik dhe perspektiva e së ardhmes për t’i harruar bëmat e gjëmat, që i kanë shkaktuar këtij populli duan që çdo vlerë patriotike dhe arritje të këtij populli ta zhbëjnë dhe ta minimizojnë, pse jo edhe ta falsifikojnë duke trumbetuar figurat kolaboracioniste si elementë të cilët gabuan u gënjyen prej pushtuesve me independencën e Shqipërisë së Madhe dhe me neutralitetin e tyre. Por, siç do të shkruante në një shkrim të tijin Sejfulla Malëshova me rastin e kujtimit të masakrës së 4 Shkurtit në gazetën “Bashkim” të vitit 1945 me titull “Gjaku don gjak”: “..…4 Shkurt1944” shfryn (Bashkimi i Kombit), siç e quan veten Bashkimi i kompromisaxhinjve e i tradhtarëve, “Hakmarrje” bërtet palaço i nazizmit shqiptar, kalemxhiu i paturp e pa ndërgjegje, Eqerem Telhai “duam gjak”, vërshëllen si gjarpër dallkauku i shitur njëqind herë, kurva e gazetarisë shqiptare Nebil Çika….”
S.Malëshova e fakton se artikulli është dërguar në shtyp në mëngjesin e datës 3 Shkurt nga zyrat e Xhaferr Devës. “… Në artikullin “Gjaku don gjak” populli lajmërohet me gjakftohtësinë më të madhe, për të vendosur autoritetin e saj. Qeveria e sheh të domosdoshme me i mbush rrugët me gjak komunistësh Nacional-Çlirimtarësh dhe simpatizantësh dhe miq të tyne….”
Një libër i shkruar nga Stavro Th. Frashëri me titull: ”Këtej kaluan hordhitë gjermanike”(krime gjermane në Tiranë) shtypur nga “Gutemberg”, Tiranë 1945 me botues Mal Osmani,është një dëshmi e gjallë e sakrificës dhe pafajësisë së popullit të Tiranës ndaj krimeve të pushtuesit gjerman në grahmat e fundit. Vrasje,grabitje,djegie e burrave, grave dhe fëmijëve. Siç shkruan autori S. Frashëri, këtë libër po ia paraqet lexuesit sipas intervistave me njerëzit që i mbijetuan krimeve gjermane gjatë ditëve të fundit të luftimeve duke filluar qysh nga dita e 30 tetorit 1944. Këtë barrë e mora për t’i treguar botës së huaj(ky libër do të përkthehet edhe në anglisht), se shqiptari nuk e fitoi lirinë pa sakrifica dhe që të demaskoj këtë Evropianë të qytetëruar,i cili pretendonte se kish ardhur në vendin tonë për të sjellë një rend të ri,liri dhe lumturi. Kam bindjen e plotë se këto krime të gjermanëve janë shkaktuar pa asnjë provokacion, gjë që ua rëndon fajin edhe më shumë. Një emër që del në skenën e krimeve është kapiteni Lederer, i cili është i njohur edhe në Vlorë për sjelljet e tija shtazarake. Të shpresojmë se nëse është gjallë drejtësia të veprojë siç edhe për bashkëkombësit e tij, në mënyrë që të qetësohen shpirtrat e familjarëve që kanë pësuar prej këtyre bishave me fytyrë njeriu.
Këto krime të Hordhive Gjermanike i kam klasifikuar në mënyrën si vijon,- shkruan S. Frashëri:
Vetëm vrasje; Vrasje e shoqëruar me grabitje; Djegie me grabitje; Djegie pa grabitje; Grabitje të thjeshta
Vetëm vrasje, Masakra në Kishën Katolike
Pohim i Padre Faustit,vjeç 45, Brescia, i plagosur, në Spitalin Civil të Tiranës.
Megjithëse i plagosur rëndë, Padre Fausti, me bujari më tregoi ngjarjen tragjike.–“Unë ndodhesha në Altarin, kur më thërrasin se kishin ardhur disa ushtarë Gjermanë tek dera e odës së miqëve. Ata më pyetën arsyen e gjithë këtij populli në podrumin e kishës. Gjithashtu më pyetën se a kishte partizanë? Unë iu përgjigja, se për sa di vetë nuk ka partizanë këtu. Këtu është Kisha Katolike dhe populli ka ardhë për t’u mbrojtur nga bombardimet. Në përgjigjen njëri nga gjermanët më foli:Auch ëenn mein Auftrag andersëare. GehenSie alle in Kirche. Domethënë edhe pse detyra ime kishte me qenë ndryshe. Shkoni të gjithë në Kishë. Ky më siguroi se nuk do më shqetësonin më. Kurse shoku i tij protestoi. Kur po e çoja gjithë popullin drejt portës së kishës me muslimanë e krishterë orthodoksë dhe katolikë tëdy gjermanët na shoqëruan deri tek shkalla e sakristis. Kur na vjen një Marshall SS dhe kapi një shqiptar rreth të gjashtëdhjetave me emrin Spahija dhe e vrau. Mbasi hyri tek sakristis kapi një civil italian për ta nxjerr përjashta,por italiani i kap armën për ta kundërshtuar, gjermani ishte mëi fotë e largoi nga vetja dhe e qëlloi. Marshalli filloi me qëllu drejt njerëzve me një mitraloz dore u vranë 4 italianë dhe 4 shqiptarë dhe u plagosën 8 të tjerë.”
Masakra në shtëpinë e Vebi Osman Zepishtit
Pohimi: Hasan Zepishti,ish nënnoficer 33 vjeç nga Dibra.
Më datën 16 Nëntor 1944 ora 11.00 po na hynin një turmë njerëzish në shtëpi për tu mbrojtur nga gjermanët dhe unë pashë gjermanët të cilët po ndiqnin një njeri të plagosur dhe nuk e besoja se ata do të vrisnin familjarë. Menjëherë kur hynë gjermanët në shtëpinë tonë filluan të qëllojnë mbi turmën dhe vranë 2 gra,1 kalama,8 burra dhe hodhën një bombë brezi tek hyrja e podrumit ku u plagosën 3 veta nga të cilët vdiqën dy. Mes të vrarëve ishte edhe vëllai im Vebi Zebishta 47 vjeç.
Masakra në Barrakat Zjarrfikësevet
Pohim i Aristotelit Risos nga Sopiku i Libohovës. 26 vjeç, garson i plagosur në Spitalin Civil të Tiranës.
Afro 30 familje muhaxhirësh të cilat banonin tek bërrakat e zjarrfikëseve, pesë prej tyre u futëm në rifuxhijo për të shpëtuar kokën. Në orën 4 pasdreke të datës 16 nëntor vjen një gjerman në rifuxhijo me pistoletë në dorë dhe na bërtet të dalim jashtë. Pas dhjetë minutash vjen një oficer i shoqëruar nga 20 ushtarë. Mua gjermani më qëlloj tek fyti kurse kunatin tim (Theohar Pantaso 20 vjeç e vranë) pas kunatit tim vranë edhe një burrë me origjinë nga Korça të quajtur Spiro me moshë rreth të 50-tave. Mbas vrasjeve u vunë zjarrin barakave.
Masakra në Garazhdin e Pallatit të Toptanit, Rruga e Kavajës
Pohimi i Cardone Vincenzo,prej Brindisi 29 vjeç.
Unë kur u ktheva mbas breshërive të plumbave pashë në Garazhdin e shtëpisë së Atif Toptanit 8 viktima të cilët ishin Etem Kasabani,Shaban Xhaja, Scafidi Salvatore, Somigli Pasquale dhe katër të tjerë që nuk patën me vete dokumente të cilët do të ishin ose punëtorë italianë ose ish-ushtarë italianë.
Masakra në shtëpinë e Haxhi Krujës
Pohim i Veiz Bektash Islamajt, 44 jeç nga Fratari i Mallakastrës,infermier.
Më datën 16 Nëntor ora 11:30 gjermanët thyen derën e shtëpisë së Haxhi Krujës. Një oficer gjerman i nxjerr me dhunë njerëzit që ishin strehuar në podrumin e shtëpisë dhe vëllanë tim Hysenin e pyesin: ”Ti je partizan?” dhe e qëllojnë duke e vrarë e pas tij edhe nipin 22 vjeçar të Haxhi Krujës. Familjarët i nxorën në rrugë dhe i vunë flakën shtëpisë.
Vrasjet dhe grabitje në shtëpinë e Kiço Bishës
Gjermanët erdhën në shtëpinë tonë (Rruga e Kavajës), gjoja për të kontrolluar nëse kishim partizanë dhe vranë vëllain tim Vaso Bishën. Nuk u mjaftuan me kaq e dogjën të gjithë dhomat e fjetjes. Ushtarët e tjerë kërkonin verë e pije të ndryshme deri dhe karamele e çokollata, ndërsa një komshiut tonë i morën edhe portofolin unazën dhe orën e dorës.
Masakra dhe grabitje në shtëpinë e Agjah Libohovës
Pohim i Kujtim Libohovës 17 vjeç
Në shtëpinë tonë (Rruga e Kavajës) ishin edhe pjesëtarë të familjes së Hasan Dostit. Gjermanët mbasi thyen murin e shtëpisë filluan të qëllojnë me automatik drejt portës së podrumit dhe thërrisnin: “Aus,Zi zind partisan!”Ne dolëm nga podrumi dhe ata na kontrolluan e na morën çdo gjë me vlerë. Kudbi Dostit i morën orën dhe të hollat, Namik Jusufatit ju morën 50 napolona, mua më morën 2 napolona, Viktor Dostit i morën 60 napolona dhe mbasi na dogjën shtëpinë vranë Kudbi Dostin 36 vjeç dhe Namik Jusifatin 55 vjeç, vrasin edhe Fehtien Dostin 40 vjeç dhe i marrin 20 napolona dhe e djegin me gjithë dyshek. Veronika Dosti 5 vjeçe u plagos. U vodhën 1qemer argjendi i larë me flori, 2 orë burrash, orë grash, karfica,varg margaritarësh, zinxhir floriri, zinxhir floriri për orë.
Masakra në shtëpinë e At Anastasit nga Durrësi
Pohim i Vangjel Bendumit.
Erdhën në shtëpinë tonë (Rruga e Kavajës) nja 15 gjermanë, pasi kishin thyer derën e shtëpisë hynë në guzhinë e kërkoninë verë dhe raki,unë u thashë se kemi vetëm cigareta. Gjermanët mbasi pinë cigaret vranë priftin dhe të nipin e tij Dhimitrin, i cili u hodh të shpëtonte,pas tij u vra edhe Pal Vasil Prifiti, pas vrasjes katilët i morën orën.Thekla, e bija Dhimitrit u plagos. Mbas vrasjeve gjermanët dogjën shtëpinë së bashku me kufomat.
Vrasje dhe grabitje në shtëpinë e Ibraim Drenovës
Pohim i Dije Drenovës.
Në shtëpinë tonë (në Lagjen e Re, Tiranë) ishin mbledhur 60 vetë, sepse shtëpia ishte e fortë. Më 16 nëntor ora 11.00 gjermanët mbërrijnë në shtëpinë tonë dhe i vunë flakën e ne dalim nga bodrumet ku gjeti vdekjen Jaruk Drenova 3 vjeç,dhe na hapën valixhet për të marrë gjërat e çmuara dhe na bënin me shenjë që t’u jepnim edhe vëthët e sahatët e dorës.
S. Th. Frashëri vazhdon me fakte dëshmi të tjera për vrasje e grabitje të kryera nga gjermanët siç është edhe kjo në familjen Plasari, ku mbetën të vrarë 8 vetë,mes tyre Leonidha Zoto,Filip Llallo,Themistokli Repa,Aristidh Varfi,Jorgo Miti, Mehmet S. Ajazi,Kristo Burnidha. Pasi i nxorën burrat nga bodrumi i kontrolluan në xhepa edhe ua morën portofolat e i pushkatuan në kopshtin e Idajet Hajdinit. Të tjerë të vrarë e grabitur në Rrugën “Naim Frashëri” ishin sipas pohimit të Salvatore Rasulo, 30 vjeç murator i plagosur: “…Gjermanët si huqër të tërbuar na hyjnë në shtëpi duke gërthitur e qëlluar me automatik na vranë 8 punëtorë italianë dhe një grua shqiptare e më pas dogjën shtëpinë. Kjo ndodhi për 15 minuta.”Vrasjes dhe grabitjes nuk i shpëtuan as italianët sipas pohimit të Gani Sadës: “Gjermanët mësyjnë në shtëpinë tonë dhe ne për tu fshehur shkojmë tek rifuxhoja e italianëve. Ata mbasi vrasin 3 italianë vrasin edhe nënën time dhe më plagosin mua. Grabitje në shtëpinë e Palok Shllakut, Grabitje e shtëpisë së Marie Kekës, apo të Luigj Kurtit dhe Shefqet Tiranës ku gjermanëve nuk u interesonte më asgjë, veç të vidhnin gjëra me vlerë apo parave arrinin të rrëmbenin edhe plaçkat e trupit.
Ku ishte ajo racë e zgjedhur që kish rënë kaq poshtë lind pyetja? Pse u bashkuan me këta pushtues edhe organizata “Ballit” dhe e “Legalitetit”, të cilët kanë lënë sot ca pseudohistorianë që do rishkruajnë historinë? T’i thuash të bardhës e zezë nga halli, epo aq di e aq bën thotë populli, por kur e bardha ëshë e bardhë sa bora në mal të Tomorit, që nuk shkrin deri në verë, nuk ta ka fajin syri që nuk shikon, por mendja e edukuar me vese të ulëta që nuk ka asnjë vetëdije për ngritjen morale brenda një familjeje krahine dhe formacioni politik.”
Libri i Stavro Frashërit është një e njëmilionta dëshmi, por historianëve të vërtetë do t’u duhet si një fakt për t’i parë pushtuesit me fundin e tyre tragjik të njëjtë si në çdo kohë dhe viktimat e martirizuara si shembuj të sakrificës njerëzore për një atdhe pa pushtues e tiranë gjakatarë.
d.ba.