Me zgjedhjet elektorale në prag dhe në mungesë të një zgjidhje politike në horizont, Lulzim Basha nga juglindja e vendit ashpërsoi tonet teksa paralajmëroi jo vetëm kundërshtarin politik, por edhe ndërkombëtarët se më 30 qershor nuk do të lejojë të mbahen zgjedhjet.
“Më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale. Çdo tentativë për një proces fals të diktuar nga krimi do të përballet me rezistencën totale lagje më lagje, kuti votimi për kuti votimi… Nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor”, tha kreu i PD-së.
Lulzim Basha foli për një ndryshim të thellë të sistemit politik, ndërsa për herë të parë u shpreh i hapur edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por me një kusht: çdo ndryshim të kalojë përmes referendumit.
Vetem pak minuta me pare kryeministri Edi Rama u shpreh i prerë dhe pa asnjë mëdyshje se zgjedhjet vendore në Shqipëri do të zhvillohen me 30 qershor dhe se shqiptarët do të votojnë në të 61 bashkitë e vendit.
“Nuk ka asnjë lloj diskutimi se zgjedhjet do të mbahen më datë 30 qershor. Kjo gjë nuk mund të vihet në diskutim nga askush. Është e sigurt që në këtë datë ka zgjedhje dhe qytetarët do të votojnë ne te 61 bashkite. Atë ditë do të kemi zgjedhjen e 61 kryebashkiakëve të Shqipërisë. Se kush merr pjesë në zgjedhje e kush jo, këtë nuk e di. Gjithsecili është i lirë të hyjë ose jo në zgjedhje. Di që zgjedhjet janë legjitime dhe në të mund të marrë pjesë çdo parti politike legjitime. Më 30 qershor pra ka zgjedhje, kaq është e sigurt”, deklaroi Rama.
/a.meta