Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi në Kuvend se ndryshimet në ligjin e kujdesit shëndetësor synojnë të sigurojë më shumë akses në shërbime, të përmirësojë cilësinë e shërbimit dhe të reduktojë pagesat nga xhepi i qytetarëve.
Duke theksuar rëndësinë e procesit të akreditimit të instititucioneve shëndetësore për më shumë siguri për pacientët, Manastirliu tha se ndryshimet në ligjin e kujdesit shëndetësor përcaktojnë një lidhje organike mes procesit të akreditimit dhe licensimit të institucioneve shëndetësore publike dhe jopublike. “Plotësimi i standarteve bazë të akreditimit do të jetë një proces i detyrueshëm për çdo institucion shëndetësor. Pas licencimit ato do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të standardit të cilësisë. Institucionet shëndetësore që nuk kalojnë pragun e standardeve bazë, do t’u pezullohet aktiviteti dhe do t’u revokohet licensa”, tha Manastirliu.
Duke prezantuar ndryshimet në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor, Manastirliu tha se do të ketë më shumë transparencë në vendimmarrjen e Ministrisë së Shëndetësisë me krijimin për herë të parë të dy organeve të rëndësishme këshillimore pranë Ministrit.
“Këshillit Kombëtar i Shëndetësisë dhe Këshilli Kombëtar i Pacientëve do të jetë pjesë e vendimmarrjes në hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare të shëndetësisë, në ndryshimet ligjore dhe në përcaktimin e politikave prioritare shëndetësore”, tha Manastirliu.
Duke vlerësuar frymën e transparencës në projektligjin e ri të kujdesit shëndetësor, Manastirliu tha se një ndryshimin tjetër i rëndësishëm që propozohet nëpërmjet këtij ligji ka si qëllim të krijojë dhe të ruajë një sistem unik të informacionit shëndetësor.
“Me qëllim shfrytëzimin maksimal të të dhënave mjekësore nëpërmjet shkëmbimit të tyre, është e domodoshme që sistemet e informacionit shëndetësor në të gjithë ofruesit e shërbimeve shëndetësore, publike dhe jo publike të integrohen me sistemin e regjistrave elektronik të shëndetit, duke krijuar një platformë unike të sistemit shëndetësor”, tha Manastirliu.
Dy ndryshime të rëndësishme që parashikon ky ligj në lidhje me profesionistët e shëndetit është vendosja në ligj e procedurave transparente të punësimit si dhe lidhja e edukimit në vazhdim me çertifikimin e profesionistëve të shëndetësisë.
“13,000 infermierë, laborantë, fizioterapistë, e profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë punësuar me meritë dhe transparencë nëpërmjet portalit “Infermiere për Shqipërinë” dhe ne po e vendosim në ligj, për të garantuar qëndrueshmërinë e tij, për të rikthyer besimin tek profesionistët”, tha Manastirliu.
Ndërsa ndryshimi tjetër që lidhet me profesionistët e shëndetit ka të bëjë me përmirësimin dhe forcimin e sistemit të edukimit në vazhdim, që do të jetë parakusht për rilicesimin e profesionistëve të shëndetësisë.
“Ne besojmë se ndryshimet ligjore në ligjin e kujdesit shëndetësor do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët”, u shpreh Ministrja Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku u miratu ligji i ri i kujdesit shëndetësor.
/a.rada