Deputeti socialist Spartak Braho është një minierë e pafundme informacioni. Ai di shumë. Kur u ngrit I pari kundër nderimit të Mit’hat Frashërit në nëntorin e vitit të kaluar, ndonjë kujtoi se ai e bëri këtë gjest për ndonjë hatërmbetje personale. Jo.
Koha tregoi se ai po me atë kurajo u ngrit kundër një instituti të tërë, atij për studimin e krimeve dhe pasojave të komunizmit, që drejtohet nga Agron Tufa, për të vetmen arsye se ai institut deshi të denigronte Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorët e saj.
Dje u botua në DITA historia e dëshmorit Nefail Hoxha. Është daja i Spartak Brahos. Ishte 18 vjeç kur e vranë ballistët…
Por Spartaku, me atë modestinë që e karakterizon, nuk është mburrur kurrë me të afërmit e tij. Ka thënë se i përket një familjeje antifashiste dhe se ka dy dajo dëshmorë.
Pikërisht këtu e filloj dhe bisedën këtë radhë me deputetin Braho.
– Lexova historinë e vrasjes së Nefail Hoxhës, dajës suaj Spartak dhe u preka. Nuk ma kishit treguar për të, megjithëse kishit arsye ta bënit këtë në kuadrin e debatit që është hapur për Luftën Antifashiste. Pse?
– Sepse nuk desha ta personalizoja historinë e familjes time që është pjesë e një historie të madhe antifashiste që nderon historinë tonë. Ka histori shumë më të dhimbshme se sa historia e familjarëve të mi. Por le të mbahemi tek thelbi i çështjes, te mbrojtja e luftës antifashiste. Antifashizmi ishte një kauzë në Luftën e Dytë Botërore dhe ajo kauzë ka një aktualitet të habitshëm edhe sot e kësaj dite…
– E thoni këtë për faktin se Lufta Antifashiste po synohet të baltoset nga Instituti i Tufës që merret me pasojat dhe krimet e komunizmit?
– Jo. Instituti i Tufës është ngritur dhe funksionon aksidentalisht. Sulmet që i bëhen antifashizmit shqiptar janë me qëllime shumë të këqija. Janë sulme që vijnë nga neofashistët e rinj. Prandaj them se antifashizmi jo vetëm se ka qenë një kauzë shumë përparimtare për kohën 70 e ca vite më parë,por edhe sot e kësaj dite mendoj se mbetet një aspiratë. Përndryshe historia mund të përsëritet, madje më e dhimbshme.
– Si?
– Ajo që nuk e kemi thënë në intervistat e mëparshme është ky fakt: Në luftën tonë antifashistë partizanët shqiptarë janë mbështetur fuqimisht edhe nga anglezët, edhe nga amerikanët, madje dhe nga italianët që kanë luftuar në Shqipëri dhe që më pas u rreshtuan në brigadat partizane. Janë dhjetëra e qindra të rënë prej tyre përkrah partizanëve shqiptarë. Sipas logjikës së Tufës edhe ata duhen shpallur kriminelë sepse luftuan kundër fashizmit. Memorialet e ushtarëve anglezë të rënë në luftën tonë janë te Kodrat e Liqenit, çuditërisht pranë vëllezërve Frashëri, ku u shtua edhe kolaboracionisti Mit’hat kohët e fundit. Çfarë paradoksi! Sipas logjikës së Tufës edhe anglezët e vrarë në Shqipëri si antifashistë duhen shpallur “kriminelë”. Edhe Gjenerali anglez Dejvis që ballistët e dorëzuan te gjermanët duhet shpallur kriminel. Edhe shefi i misionit amerikan, Tom Stefan, i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm, duhet shpallur kriminel. Por edhe ata qindra ushtarë italianë që pas kapitullimit të Italisë u rreshtuan në radhët e brigadave partizane e ranë dëshmorë për lirinë tonë, duhen shpallur kriminelë. Mes tyre është edhe italiani antifashist mitralieri Ettore Monavolta që ruajti për 30 vjet portofolin e dajës tim…
– Zoti Braho, këto histori janë të shumta dhe ne do të kemi rastin të bisedojmë gjatë këtij viti jubilar të çlirimit. Por dua të hyj në një çështje konkrete: çfarë do të bëhet me institutin e krimeve të komunizmit?
– Unë i besoj asaj që tha kryeministri Rama. Ai institut ka shkelur ligjin dhe ka dalë mbi ligjin. Kuvendi do të hetojë shkeljet ligjore dhe unë besoj se shkeljet janë flagrante dhe që e justifikojnë shkrirjen e bordit të atij instituti me Tufën në krye. Por, në të vërtetë, mua nuk më intereson ky institut, por ai që do të ngrihet. Pra do të ngrihet Instituti i Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore. Për ngritjen e një instituti të tillë është marrë një nismë qysh në qershor 2016, pra tre vjet më parë. Janë 30 deputetë që e kanë firmosur atë nismë,me në krye Olta Xhaçkën, ministren aktuale të Mbrojtjes. Bëjnë pjesë në të Pandeli Majko, Erion Braçe, Blerina Gjylameti, Fatmir Xhafa, Ulsi Manja, Valentina Leskaj, e të tjerë. Lexoni emrat e tyre në faksimile. Nuk i di arsyet pse u ndërpre një nismë e tillë (Shikoni faksimilen përkatëse). Por, ne do të kërkojmë ngritjen e një instituti të tillë në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Është një domosdoshmëri kjo. Nuk më intereson instituti i Tufës, i cili e ka humbur funksionin dhe qëllimin e tij. Lexoni emrat në bordin e atij instituti dhe do të bindeni. 99 për qind janë ballistë dhe pinjollë ballistësh. Ata kërkojnë ta kthejnë përmbys historinë tonë. A do talerojmë një gjë të tillë? Kjo është çështja.