Poliklinika e Specialiteteve nr. 3 apo siç njihet nga të gjithë si Poliklinika Qendrore është pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë për specialitetet kryesore, duke filluar nga Kardiologjia dhe Urologjia e deri të Okulistika dhe ORL. Investim i rëndësishëm është ai në laboratore, që ka rritur cilësinë dhe gamën e analizave që kryhen në poliklinikë.
“Me këtë investim, mundësojmë fuqizimin e laborëtorëve dhe standardizimin e shërbimit në këtë Poliklinikë specialitetesh, sikundër po punojmë çdo ditë për të mundësuar një standard të njëjtë në të gjithë poliklinikat”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3 në Tiranë. Manastirliu ka siguruar qytetarët se falë investimeve në poliklinikën qendrore do të shmangen në maksimum ecejaket deri në QSUT, pasi të gjitha analizat mund të kryhen në laboratorin e ri si dhe ofrohen shërbime që më parë mungonin.
“Nuk është më e nevojshme të shkosh në spital për diagnostikimin e sëmundjeve kardiake, sepse këtu kryhet me aparatura bashkëkohore prova e biçikletës, dhe defribilatorët janë modernë. Janë vendosur për herë të parë aparaturat e cistoskopisë dhe fluometrisë, për ekzaminimin e saktë të problemeve urologjike, janë kompletuar me aparatura të standardit më të lartë kabineti i okulistikës dhe ORL. Është një investim i plotë që transformon për nga pikëpamja e cilësisë së shërbimit këtë poliklinikë specialitetesh” – tha Manastirliu.
Poliklinika e Specialiteteve nr 3 ofron shërbim të specializuar në 18 kabinete, me 46 mjekë, 46 infermierë dhe 21 laborantë. 550 mijë euro është vlera e investimit në aparatura moderne për shërbimet kryesore të specialiteteve të poliklinikës qëndore, pjesë e kredisë italiane për fuqizimin e 5 poliklinikave që kanë mundësuar fuqizimin e aparaturave në poliklinikën e specialiteteve nr 3 në Tiranë, Poliklinika qendrore i shërben rreth 280 mijë banorëve.
g.kosovari