Presidenti Donald Trump tha gjatë fundjavës se do të arrihet një marrëveshje me Korenë e veriut, pak orë pasi ushtria e Koresë së Jugut bëri të ditur se regjimi i izoluar ka lëshuar “disa raketa të paidentifikuara me rreze të shkurtër”.
Donald Trump tha se ka besim që Kim Jong UN nuk do të ndërhyjë te “potenciali i madh ekonomik” që ka Korea e Veriut. “Çdo gjë është e mundur, por besoj se Kim Jong Un e kupton potencialin ekonomik të Koresë së Veriut, dhe nuk do të ndërhyjë. Ai e di gjithashtu që unë jam me të dhe nuk do të thyente premtimin që më ka bërë”, shkroi Trump në Twitter.
Ushtria e Koresë së Jugut tha fillimisht se Veriu kishte lëshuar një raketë të vetme, por ndryshoi dialogun më vonë duke thënë se ka lëshuar disa objekte të paidentifikuara me rreze të shkurtër. Në muajin Prill, Korea e Veriut pohoi se ka testuar një “predhë të fuqishme”, që është e para për regjimin që kur Trump dhe Kim u takuan në samitin historik në Singapor vitin e kaluar. Trump dhe Kim kanë zhvilluar një raund të dytë të bisedimeve në Vietnam në Shkurt të këtij viti. (Tema)