Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se ka urdhëruar ushtrinë të vazhdojë goditje ajrore “masive” kundër ekstremistëve në Gazë dhe të dërgojë tanke dhe kontigjent të këmbësorisë në kufijtë e Gazës.
Ekstremistët goditën Izraelin jugor me një numër raketash dje nga Rripi i Gazës që kontrollohet nga Hamasi.
Izraeli u kundërpërgjigj me goditje ajrore dhe predha tankesh. Ministria e Shëndetësisë në Gazë thotë se katër palestinezë kanë gjetur vdekjen, ndër ta edhe një grua shtatzënë dhe një foshnje. Izraeli thotë se ka vrarë tetë ekstremistë. Një izraelit mbeti i vrarë dhe të paktën katër u plagosën nga goditjet e Hamasit.
Dje një nga sulmet izraelite goditi një ndërtesë ku ndodhet redaksia e agjencisë turke të lajmeve, Anadolu në Gazë. Turqia e dënoi ashpër sulmin.
Izraeli thotë se të paktën 400 raketa u hodhën brenda territorit të tij dhe se dhjetëra të tjera u interceptuan nga sistemi izraelit i mbrojtjes ajrore.
Të premten katër palestinezë u vranë nga goditjet izraelite, ndërsa dy izraelitë u plagosën nga protestat që vazhdojnë prej javësh në zonën kufitare. VOA