Nga Alfred Peza
Ajo që u deklarua në fillim, si një “lojë shokuese opozitare” nëpërmjet daljes nga Parlamenti dhe mosfutjes në zgjedhjet e 30 qershorit, po rezulton si një nga dështimet më spektakolare në historinë e pluralizmit shqiptar. Strategjia për ta marrë pushtetin në tavolinë, me goditje tinzare “poshtë brezit” të lojës demokratike, për ti shpëtuar kësisoj ndëshkimit të drejtësisë së re që po afron, humbi.
Arësyeja është fare e thjeshtë. Koha po vërteton atë që dyshohej që në fillim. Se Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk kishin jo vetëm kauzë, por as plan “B” dhe as “exit strategy”. Ata thjeshtë nisën të improvizojnë dhe ende po improvizojnë nga dita në ditë, me shpresën se dikur kjo rrugë pa rrugë, diku do ti nxirrte.
Improvizimi është një mënyrë jetese për humbësit e përjtshëm. Kultura e saj është “opiumi” për gjithë ata që e dinë shumë mirë se çfarë duan. Por as nuk e dinë se kush janë, as nuk duan ta pranojnë se ku janë, por as nuk duan ta besojnë se ku po shkojnë dhe çfarë i pret.
Të paaftë për të paguar çmimin e planifikimit afatgjatë të një projekti politik fitues që do këllqe, moral, vizion, pasion, vullnet dhe kreativitet për tu realizuar vetëm me punë, lidershipi i “Opozitës së Bashkuar” zgjodhi me koshiencë rrugën më të shkurtër. Atë rrugë që megjithëse të gjithë e dimë, askush me sa duket ende nuk e pranon në kampin opozitar, se ajo të nxjerr gjithmonë më gjatë!
– Lidershipi i opozitës tradicionale, improvizoi kur tha se po i digjte mandatet e përfaqësimit parlamentar, sepse për këtë dëgjoi zërin dhe zbatoi vullnetin e popullit.
– Lidershipi i opozitës sonë të vjetër, improvizoi kur tha se për daljen nga Parlamenti ishte konsultuar më aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët si kurrë më parë që pas 1990, janë pa përjashtim kundër.
– Lidershipi i opozitës jashtë sistemit, improvizoi kur tha se do ta rrëzonte qeverinë e kryeministrit Edi Rama me anë të revoltave masive popullore.
– Lidershipi i opozitës jashtë parlamentare, improvizoi kur tha se deputetët e rinj të Parlamentit që zunë vendet e lëna bosh prej saj, nuk do mund të ishin embrioni i një opozite të re dhe legjitime.
– Lidershipi i opozitës në ikje, improvizoi kur tha se ajo e ka e vetme monopolin e aleternativës politike përballë mazhorancës në Shqipëri dhe se nëse zgjedhjet bëhen pa të, pluralizmi është në rrezik.
– Lidershipi i opozitës që duket se po e vetmbyll ciklin e vet pas 30 vjetësh, improvizoi kur tha se ka një program më 10 pika për qeverinë tranzitore, ndërkohë që qeveria e Edi Ramës ka mandat nga shqiptarët deri më 2021 dhe se SHBA e BE e kanë rikonfirmuar atë si “tërësisht legjitime”.
– Lidershipi i opozitës së “vetëvrarë”, improvizoi kur bëri sikur 5 aleatët e vegjël të koalicionit të saj, i paraqitën një platformë me 12 pika Kreut të Shtetit, duke i kërkuar që të thërriste tryezën e dialogut politik plot 8 ditë pas përfundimit të afatit ligjor për regjistrimin e partive politike në KQZ, për zgjedhjet.
– Lidershipi i “Opozitës” së përçarë tashmë, improvizoi kur pas dështimit të strategjisë së protestave popullore, tha se do ta rrëzojë qeverinë nëpërmjet “mosbindjes civile”.
– Lidershipi i PD, LSI dhe aleatëve të tyre të vegjël, vazhdojnë të improvizojnë e të improvizojnë papushim, duke mos patur asnjë platformë, program dhe një alternativë tjetër serioze e zyrtare, për qeverisjen ndryshe të Shqipërisë. Një dokument strategjik opozitar për qeverisjen e nesërme, si një pasqyrë e pastër dhe gjigande ku gjithkush prej qytetarëve të këtij vendi, të mund të shohë aty në mënyrë të besueshme dhe realiste, të ardhmen e tij ndryshe.
Kur e gjitha kjo qasje opozitare jo vetëm mungon, por as që ka ndonjë shenjë se herët ose vonë do të ndodhë, të zë realisht trishtimi. Për aq kohë, sa edhe çdo nxënës shkolle e jo më gjithë të tjerët në këtë vend, e kanë mësuar herët se kultura politike e improvizimit të opozitës sonë, nuk është gjë tjetër veçse e vetmja strategji humbëse e saj!
g.kosovari