Flet kreu i Ballit Kombëtar Demokrat: Nuk u regjistrova në zgjedhje për t’i qëndruar besnik Bashës
Artur Roshi është deputeti më i ri që ka zënë vend në Parlamentin Shqiptar. Vendimin për të pranuar mandatin, Roshi thotë se e ka konsultuar me përfaqësuesit e Partisë Balli Demokrat, të cilën e drejton vetë.
Edhe pse ka qenë krah Bashës edhe e ka mbështetur në nismat e marra ai nuk pajtohej me lënien e mandateve.
Në një intervistë për TemA Javore, Roshi nuk e fut veten tek tradhëtarët e opozitës, por po hyn në Parlament per të bërë opozitarin..
Zoti Roshi a jeni regjistruar në një koalicion zgjedhor?
Balli Kombëtar Demokrat nuk është regjistruar në këto zgjedhje. Ky është një vendim që shkon në frymë me vendimin e koalicionit Opozitar, ku ne bëjmë pjesë ose thënë ndryshe është një vendim pro një marrëveshjeje të heshtur me gjithë aleatët e këtij koalicioni të kryesuar nga PD.
Ju sot jeni në Parlament për të mbushur boshllëkun e opozitës ose më saktë të PD-së?
Unë sot jam në Parlament për të përfaqësuar partinë që drejtoj Ballin Kombëtar Demokrat si një parti opozitare tradicionale me Partinë Socialiste dhe opozitare historike me etërit e tyre.
Pse ky vendim për të marrë mandatin kur ju keni qenë në krah të kryetarit të PD-së, z. Basha deri më tani?
Ligjësia politike është themeli i organizimit të shoqërive të përparuara, ku futet edhe përfaqësimi i Opozitarizmit Parlamentar dhe si i tillë duhet respektuar. Prandaj, qenien time në Parlament e shoh si një kontribut Opozitar që nuk duhet neglizhuar.
Në konceptin tim gjithmonë Opozita ka dy vektorë të opozitarizmit: një brenda Parlamentit dhe një jashtë tij, ku rezultantja e tyre krijon alternativën e plotë kundër-qeveritare.
Në këtë veprim nuk ka ndonjë kontradiktë të logjikës politike Opozitare, dhe nuk prish koherencën e të qenurit në krah të z.Basha. Ajo që ndryshon është mënyra e taktikës së Opozitarizmit.
Opinioni publik sot është i qartë se “djegia” apo më saktë lënia e mandateve nga PD ishte një veprim derivat i emocioneve pas-protestore, i pa kalkuluar mirë për efektin e tij moral që duhet të jepte; të vriste në sedër kryeministrin që të tërhiqej, kur z.Rama pushtetin e sheh si një tapi, apo të tërhiqte vëmendjen e ndërkombëtarëve kundër rregullave të tyre.
Vetë PD këtë veprim e quan të fortë, ekstremal dhe që i bie ndesh konceptimit perëndimor për përfaqësimin e besimit të shqiptarëve në Parlament.
Kjo do të thotë se vetë PD pranon që “djegia” e mandateve ishte një gabim dhe marrja e mandateve është e kundërta e gabimit.
Shkurt politikisht mandati im nuk ndan pushtetin midis PD dhe PS, prandaj them se pyetja juaj ka nota të emotivitetit të situatës momentale politike.
Vendimi për të pranuar mandatin e deputetit ishte personal apo i diskutuar me strukturat e partisë suaj?
Vendimi im është i konsultuar pa përjashtim me gjithë trupën politike të partisë në qendër dhe në rrethe, me përfaqësues tanë në SHBA, në Kanada, në Australi, në Gjermani, në Kosovë, por përtej kësaj edhe me njerëz personalitete jashtë politikës.
Ky vendim shpreh në mënyrë preçize opinionin e një shumice të cilësuar.
Në mbështetje dhe në frymë të këtij vendimi vazhdojnë të vijnë urime dhe mbështetje si dhe të gjallohen burime të reja njerëzore për tu integruar në strukturat dhe organizimet politike të partisë.
Si janë marrëdhëniet me z.Basha? Kur ka qenë komunikimi juaj i fundit me të?
Unë jam një njeri politik dhe marrëdhëniet tona i kam parë gjithmonë në një plan politik parimor dhe moral.
Mendoj se produkti politik i qendrës së djathtë (PD) dhe i të djathtës konservatore moderne europiane (PBKD) është shumatorja që sjell sukses për ne, zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë nesër.
Kam parë më shumë atë që na bashkon, suksesin e përbashkët duke lënë mënjanë sfumaturën e qëndrimeve të tij, të cilat e shtyjnë atë të mos vlerësojë historinë politike të partisë që unë drejtoj për rrjedhojë as profilin dhe formimin tim personal.
Gjithsesi marrëdhëniet tona janë brenda gabaritit të lejuar të një bashkëpunimi në vazhdimësi.
Po nga PS-ja keni pas komunikime?
Kurrë në jetën time.Të afërmit e mi janë anëtarë të Partisë Demokratike dhe jo tek partia ime që ngrihet mbi idetë antikomuniste të Mid’hatit dhe mbi sakrificat qindra-mijëra jetëve të lënduara nga interrnimet, burgimet dhe humbjeve të tyre.
Filozofia politike e Mid’hat Frashërit që unë predikoj janë e kundërta e filozofisë së Marksit që përfaqëson PS.
Është një hendek i madh mendimi dhe historie që na ndan politikisht me ta.
Cili është objektivi juaj në këtë Parlament?
Qëllimi im është të krijoj një profil të një rryme politike bazuar mbi Filozofinë Politike Moderne Europiane të ideuar në vendin tonë nga Mid’hat Frashëri, duke parë
foltoren e Parlamentit si një vlerë të shtuar në komunikimin me shqiptarët.
Gjithashtu, në Parlament shoh një mundësi më shumë për të kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për votën e lirë.
Pozicioni juaj politik tashmë është më afër Partisë Socialiste apo asaj Demokratike?
Pozicioni i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat në politikë është i përcaktuar nga filozofia jonë politike Konservatore Moderne Europiane, pa mëdyshje kundër PS-së dhe filozofisë së saj të majtë dhe në krah të PD-së dhe filozofisë së saj liberale.
Unë jam në drejtimin tim politik. që kam qenë dje jashtë Parlamentit kundër PS-së, sot brenda parlamentit po kundër PS-së.
A keni tradhtuar në politikë?
Kjo puna e tradhtisë tregon mendësinë politike të së djeshmes.
Në diktaturë u krijua morali komunist me njeriun e ri, ndërsa sot po tentohet të krijohet njeriu i ri kapitalist po me moralin komunist. Fernada Cenko /TemA Javore