Mesazhin e tij në ditën e dëshmorëve të atdheut e dha edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një deklaratë për mediat.
Lleshajka theksoi se krahas dëshmorëve që dhanë jetën për liri, sot nderohen edhe dëshmorët që kanë rënë nga radhët e Policisë së Shtetit në krye të detyrës në luftën kundër krimit, në mbrojtje të sigurisë publike.
“Sot përkujtojmë mijëra shqiptarë që kanë dhënë jetën si Dëshmorë të Atdheut në luftërat për liri dhe pavarësi.
Por sot përkujtojmë edhe qindra dëshmorë të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit, që e dhanë jetën në një luftë dhe në një front tjetër: në luftën kundër krimit, në mbrojtje të sigurisë publike, në një front të brendshëm”, theksoi ministri.
Më tej ministri shtoi se nga viti 1990, 224 punonjës të Policisë së Shtetit kanë dhënë jetën e tyre në krye të detyrës.
“Ky numër shumë i lartë punonjësish policie të rënë në harkun e pothuajse tri dekadave është dëshmi e dy realiteteve:
Nga njëra anë, ky numër tregon një zhvillim politiko-shoqëror jo normal, i cili ka prodhuar një situatë kriminale të pazakontë edhe në kontekstin historik të vendit tonë;
Nga ana tjetër, numri i lartë i dëshmorëve nga radhët e Policisë së Shtetit tregon se përballja me krimin ka qenë e ashpër, e vështirë por edhe heroike.
Shumë nga ata dhanë jetën, në momente të vështira për familjet e tyre, të cilat përballeshin me sfida të shumta sociale e ekonomike, sfida me të cilat, një pjesë e madhe e tyre, përballen edhe sot”, deklaroi Lleshaj.
Më tej gjatë deklaratës së tij, ministri theksoi se përgjatë historisë së tij të madhe dhe të ndërlikuar, popullit shqiptar i është dashur të paguajë një çmim të rëndë në shërbim të mbijetesës, të lirisë dhe prosperitetit. “Sot përkujtojmë mijëra shqiptarë që kanë dhënë jetën si Dëshmorë të Atdheut në luftërat për liri dhe pavarësi”, ka thënë ai.
g.kosovari