Procesi i Vetingut, i konsideruar nga ndërkombëtarët si unik në Evropë dhe shembull për vendet e tjera, ka hyrë në një fazë të rëndësishme. Vëmendja është zhvendosur tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit, organi fundor i Vetingut, i cili vendos përfundimisht për fatin prokurorëve dhe gjyqtarëve nëse duhet të vijojnë të shërbejnë në drejtësinë e re apo duhet të qëndrojnë për 15 vite larg saj. Aktualisht, 40 gjyqtarë dhe prokurorë luftojnë në Kolegjin e Apelimit, një pjesë për të qëndruar në detyrë dhe pjesa tjetër për t’u kthyer në detyrë, pasi janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut.
Ndërkaq, Këshilltarja pranë Kushtetueses Valbona Bala kundërshton në Kolegj vendimin e KPK për ndërprerjen e Vetingut ndaj saj, ndërsa gjyqtari Genci Sinjari kërkon t’i bëhet Vetingu, pasi KPK ka ndërprerë procesin e Vetingut, për shkak të dorëheqjes së tij nga sistemi. Me këto dy subjekte, numri i dosjeve në Kolegj shkon në 42. Nga ana tjetër, Kolegji i Posaçëm ka marrë deri më sot 18 vendime mbi kërkesat e Komisionerit Publik dhe të vetë subjekteve të rivlerësimit.
Beteja për të qëndruar në detyrë
14 prokurorë dhe gjyqtarë janë konfirmuar në detyrë nga KPK, por Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që t’i shkarkojë nga detyra. Fati i tyre nëse do të do jenë apo jo pjesë e drejtësisë së re do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Tre prej tyre, Besnik Cani, Arben Dollapaj dhe Gentjan Osmani, janë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjithashtu, vazhdojnë betejën në Kolegj për të qëndruar në detyrë prokurorët Besnik Muçi, Adnand Kosova dhe Donika Prela. Kjo e fundit është edhe drejtuese e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Vijojnë betejën për të qëndruar në detyrë kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, anëtari i kësaj gjykate Edmond Islamaj, kryetarja e Gjykatës së Krujës Alma Kolgjoka si dhe gjyqtarët e tjerë Artur Malaj, Nertina Kosova, Gentian Medja, Astrit Faqolli dhe Alma Brati. Deri më sot, Kolegji i Apelimit ka marrë vendim vetëm për dy kërkesa të Komisionerit Publik për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatë Kushtetuese Bashkim Dedja si dhe anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari. Kolegji pranoi dy kërkesat e Komisionerit, duke shkarkuar nga detyra dy subjektet, të cilët ishin konfirmuar në detyrë nga KPK. Ky standard i krijuar nga Kolegji i Apelimit mund të jetë një sinjal negativ për fatin e 14 subjekteve që luftojnë për të qëndruar në detyrë.
Vendimmarrja e Kolegjit
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, deri më sot, nuk ka kthyer në detyrë asnjë gjyqtar apo prokuror, i cili është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa e ka kundërta ka ndodhur, siç ishte rasti i Bashkim Dedes dhe Antoneta Sevdarit. Megjithatë, aktualisht, janë 26 prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët i kanë kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rikthimin në detyrë, pasi janë shkarkuar nga KPK. Pjesë e listës janë edhe gjashtë drejtues gjykatash, konkretisht Alma Liçaj, Admir Belishta, Luan Dervishi, Agron Vavla, Alltun Çela, Arben Zefi dhe Alfred Gjoni. Kanë vënë në lëvizje Kolegjin e Apelimit, duke kërkuar rikthimin në detyrë edhe drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda Artan Bajrami si dhe anëtari i Gjykatës së Lartë Artan Broci.
Bilanci
40 gjyqtarë dhe prokurorë luftojnë në Kolegjin e Apelimit, një pjesë për të qëndruar në detyrë dhe pjesa tjetër për t’u kthyer në detyrë, pasi janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Standardi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, deri më sot, nuk ka kthyer në detyrë asnjë gjyqtar apo prokuror, i cili është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa e ka kundërta ka ndodhur, siç ishte rasti i Bashkim Dedes dhe Antoneta Sevdarit.
Të shkarkuar nga KPK, por që i kërkojnë Kolegjit të rikthen në detyrë
Alma Liçaj, kryetare e Gjykatës së Apelit Vlorë
Admir Belishta, kryetar i Gjykatës së Tiranës
Luan Dervishi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër
Agron Vavla, kryetar i Gjykatës së Beratit
Alltun Çela, kryetar i Gjykatës së Sarandës
Arben Zefi, kryetar i Gjykatës së Shkodrës
Alfred Gjoni, kryetar i Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Kurbin
Artan Bajrami, drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda
Rovena Gashi, prokurore
Bledar Abdullai, gjyqtar
Elsion Sadiku, prokuror
Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë
Arben Nela, prokuror
Bujar Hoti, prokuror
Ervin Metalla, gjyqtar
Dritan Rreshka, prokuror
Ahmet Jangulli gjyqtar
Sotiraq Lubonja gjyqtar
Ramadan Troci prokuror
Entela Prifti, gjyqtare
Artor Ylli ndihmës ligjor
Shpëtim Kurti, prokuror
Artur Selmani, prokuror
Fatos Qato, gjyqtar
Izet Kadana, gjyqtar
Ana Golloshi, ndihmëse ligjore
Të konfirmuar në detyrë nga KPK, por që Komisioneri Publik kërkon t’i shkarkojë nga detyra
Donika Prela, drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda
Adnand Kosova, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Besnik Cani, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Arben Dollapaj, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Gentjan Osmani, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Alma Kolgjoka, kryetare e Gjykatës së Krujës
Edmond Islamaj, anëtar i Gjykatës së Lartë
Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë
Besnik Muçi, Prokuror i Krimeve të Rënda
Artur Malaj, gjyqtar i Administratives Tiranë.
Nertina Kosova, gjyqtare e Krimeve të Rënda
Gentian Medja, gjyqtar i Administratives Tiranë.
Astrit Faqolli, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës
Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës
Kërkojnë t’i nënshtrohen procesit të Vetingut
Valbona Bala, këshilltare pranë Kushtetueses, KPK ka vendosur të ndërpresë Vetingun, i kërkon Kolegjit ndryshimin e vendimit.
Genci Sinjari, gjyqtar, KPK ka vendosur ndërprerjen e Vetingut sepse ka dhënë dorëheqjen. Sinjari i kërkon Kolegjit vijim e Vetingut./ shqiptarja.com
g.kosovari