Nga Shpëtim Nazarko
Vërvitja poshtë e lartë Shqipërisë, e opozitës sot, apo asaj të djeshme që sot është në qeveri, nuk është ndonjë gjë e re.
Shkruar e stërshkruar, kjo shaka e ka origjinën te Lindja e Lashtë. Filozofët e gjejnë burimin te ajo që quhet mungesë e pronës private.
Atëherë zbriste një turmë nga mali dhe në emër të luftës kundër shtypësve merrte fuqinë. Kohë më vonë zbriste prapë një turmë nga mali. Priteshin tre-katër koka dhe loja rifillonte nga e para por pa ndryshuar asgjë në themel. Nuk është ndonjë zbulim i madh që këtë skenë ta shohësh në Shqipërinë e tranzicionit. Shakaja përsëritet nga të dy palët me parullën e kapjes së hajdutëve. Pastaj, si dikur loja rifillon nga e para… Ja mendohuni pak e do shikoni si janë ndërruar pushtetet tridhjetë vjet në tranzicion. Domethënë kush ka qenë parulla e palëve të majta apo të djathta….
Kritikët e këtij arsyetimi mund të thonë: “Çfarë thua? Ne kemi një shtet që ndryshe nga Lindja komuniste privatizuam thuajse gjithcka…Ndoshta shteti ka dhjetë përqind dhe privati pjesën tjetër domethënë nëntëdhjetë përqind të gjësë.”
-Mundet po. Ndërkaq nuk është e vështirë të kuptohet se investitori më i madh në këtë histori është prapë shteti, apo ai që ka vetëm dhjetë përqind në dorë. Bile, ai për ta forcuar këtë lloj loje, po ti besosh opozitës së sotme, komandon edhe ata që rëndom i quajmë oligarkë.
Nuk është e vështirë të kuptohet se jemi prapë brenda të njëjtës situatë si në atë të komunizmit të vjetër. Lojën me oligarkë e kam shpjeguar shpesh.
Në 2013 kur shteti u gjend i falimentuar, nuk kishte për të larë vetëm ato 700 milionë që thoshte qeveria e re, apo 300 sa pretendonte opozita. Shteti kishte falimentuar dhe bankat nuk i jepnin më kredi.
Atëherë mbeti vetëm një rrugë:
Të çoheshin ata që quhen oligarkë edhe njëherë nëpër banka me gjithë borxhet e mëdha që kishin për të rimarrë edhe njëherë kredi. Kjo duke i pajisur me letra për tenderat e rinj që në dorë i kishte po shteti. Në thelb, edhe këtë e kam shprehur shpesh, oligarkët e Shqipërisë janë më të katranosur se pjesa tjetër e Shqipërisë. Jo vetëm për kreditë kolosale, por edhe për investimet që shpesh janë mjerane dhe nuk prodhojnë asgjë. Opozita e di më mirë se unë këtë gjë, po i duhet gogoli i oligarkëve për të ushqyer turmat e saj të fanatikëve.
Duket se edhe qeveria e ka kuptuar këtë histori më në fund, duke filluar t’i hedhë ata nga sponti i makinës, po nuk shoh ndonjë zgjidhje të saktë në horizont… Loja mbetet e njëjtë dhe përfundimet po ato.
Për ta thjeshtuar historinë, se si është e mundur që një ekonomi e privatizuar në themel të ketë investitor shtetin, mjaft të shikosh mënyrën se si ushqehen spitalet apo universitetet. Grantet jepen nga shteti. Pastaj ato kavurdisen në shumicën e rasteve, për kompjutera, mobilje, makina të administratës etj, etj. Po kjo lloj shakaje me grante bëhet kudo në gjithë sektorët. Këto para që shteti i gjorë i mbledh nëpërmjet taksave ku gëlon një informalitet i lartë.
Eh po si të bëjmë thonë? Kështu bëhet buxheti kudo nëpër botë.
Para se të thuash përfundimin e thjeshtë se ky është buxhet i përdorur nga Enveri dhe mësuar prej tij kur rusi Troicki i ardhur më 1948 e ndërroi mënyrën e funksionimit të ekonomisë dhe bërjes së buxhetit si në BRSS përfundojmë arsyetimin duke ridefinuar faktet.
Qoftë oligarkët, qoftë universitetet apo spitalet, etj, etj, i furnizon shteti. Pa ndihmën e tij të tërë venë në xhenem.
Nëse Hoxha do të ishte gjallë dhe në këtë sistem të hapur, do të vazhdonte të njëjtën politikë të bërjes së buxhetit si edhe e bënte, por do të linte të lirë ikjen jashtë, përfundimi do të ishte i thjeshtë: Të tërë do të iknin jashtë, apo do të shpiknin metoda mbijetese që edhe manualet nuk do ti përfshinin gjëkundi.
Çka u tha më sipër e shohim në praktikë, bëjmë një buxhet komunist dhe kështu ndërtojmë vetëm një lloj shakaje që vazhdon të hedhë në erë Shqipërinë…
Si i bëhet? Nuk e di. Atë që di, është se mund të themi që e vjetra që ndërtuam për tridhjetë vjet ka vdekur dhe e reja nuk po lind dot.
Shakaja e dytë është po e prejardhur nga sistemi komunist dhe palët e zbatojnë gjithnjë me kënaqësi sa herë vijnë zgjedhjet. Në themelin e saj, ajo mban shprehjen e Stalinit i cili e kishte perifrazuar nga romakët.
Ajo thotë: Ju votoni, partia numëron!
Duket sikur jemi ndryshe nga sistemi komunist, apo ajo që nënvizuam. Po a është realisht kështu?
Në vend të komisionit të vetëm që caktonte Hoxha në zgjedhjet e atëhershme, kemi një komision me shumë anëtarë apo të shumë partive. Po në thelb, përsëri vendimin final e ka shumica, që ka gjithnjë një anëtar më tepër, kështu që nuk kemi bërë gjë tjetër veçse jemi rrotulluar, duke mbetur po prapë në vend. Për atë që nuk e beson këtë mënyrë thënie të së vërtetës, le të pyesë veten nëse ka ndonjë vend të botës që zgjedhjet dhe numërimi i votave bëhet me këtë mënyrë si këtu.
Kur u thua që duhet ta bëjnë numërimin me student, a mësues apo njerëz të mbledhur rastësisht rrugëve, zënë e të thonë me nënqeshje: Eee po ata blihen!,,,
Tu thuash që edhe komisionerët e tyre blihen, nuk ka vlerë. Dhe kanë njëfarë të drejte. Rrjeti i pafundëm i komisionerëve nga qendra në bazë shpërblehet në një mënyrë a në një tjetër, kur zgjedhjet mbarojnë. Ata ose fisi i tyre bëhen anëtarë këshillash, kryepleq, etj, etj.
Si i bëhet?
Kemi një shtet që bën buxhetin në formë komuniste, bile pak më keq se në kohën e komunizmit. Kjo sepse Hoxha bënte plane pesë vjeçare, ku definonte qartë qëllimet ku vente. Kurse tani për tridhjetë vjet pavarësisht fuqisë ekzekutive, kryeministri, dmth Hoxha i dikurshëm, nuk është gjë tjetër veçse një brigadier emergjencash që preokupohet për avaritë që prodhohen cdo ditë nga Tirana në Kukës, apo nga Tirana në Konispol.
Kur e shikon këtë batërdi që për mua nuk është gjë tjetër vecse një komunizëm, apo feudalizëm më i shëmtuar se ai i tridhjetëvjetëve më pare, por me diferencën që të lë tja mbathësh nga sytë këmbët nëse nuk e pranon, të kujtohet shprehja e vjetër greke e cila thotë: Sa më shumë që duket se ndryshon aq më i njëjtë je!
Duke i përmbledhur çfarë thamë më lart, mund të konkludojmë: Mënyra e bërjes së buxhetit dhe mënyra e numërimit të votave, nuk bëjnë gjë tjetër veçse riciklojnë komunizmin në një formë tjetër, duke mbetur brenda shprehjes së vjetër greke që cituam më lart.
Ctë bëjmë thoni ju?
Në pafuqinë time më mbetet të citoj një nga baballarët e dialektikës që thotë: “Kur u plakën, ata u penduan për mëkatet e rinisë, por nuk e përmirësuan aspak stilin e vet letrar.”
Shprehja shkon edhe për ata që kanë tridhjetë vjet që merren me politikë. Të majtë a të djathtë, nuk ka rëndësi si e emërojnë veten e tyre. (Konica.al)