Tiranë, 150 mijë vizitorë në katër muajt e parë të 2019
Tirana është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë.
Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.
Mirela Koçollari, drejtoreshë e Turizmit në bashkinë e Tiranës tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vetëm gjatë muajve të parë të 2019 ka një rritje me rreth 25% më shumë turistë në Tiranë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
”Është evidente prezenca e turistëve në rrugët e kryeqytetit. Ka një rritje të fluksit të turistëve dhe të Tiranës si destinacion, dhe gjatë 2019 janë 150 mijë turistë që e kanë vizituar kryeqytetin. Kryesisht turistët që vizitojnë Tiranën vijnë nga vende që kanë linja direkte, ku pjesa më e madhe janë gjermanë, italianë, janë shumë dhe nga Turqia dhe padiskutim nga Kina”, tha Koçollari.
Ajo tha se, “atraksionet më të frekuentuara nga turistët janë pjesa qendrore e Tiranës, si sheshi ‘Skënderbej’, i cili është kthyer në një epiqendër dhe pikënisje e itinerarit të turistëve të huaj. Gjithashtu atraksione të tjera janë Pazari i Ri, i cili është kthyer në një oaz interesant gjelbërimi i frutave dhe perimeve si dhe gatimeve tradicionale, si dhe Kalaja e Tiranës, e cila ka tërhequr shumë vëmendje si nga pozicioni dhe historiku që mbart, ashtu dhe nga mënyra se si është rijetëzuar”.
“Përveç pjesës qendrore atraksione të frekuentuara nga turistët janë dhe muzetë, si Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Gjetheve, i cili ka një dyfishim të numrit të turistëve pasi trajton tematika që të huajt kanë interes”, u shpreh Koçollari.
Ajo shtoi se, “së shpejti qytetit të Tiranës do i shtohet dhe një atraksion i ri, që do jetë shtëpia muze e shkrimtarit Ismail Kadare. Ky muze do jetë shumë pranë qendrës së Tiranës dhe do jetë shumë ndryshe nga muzetë e tjerë. Ai është konceptuar brenda një pallati banimi dhe aty do jetë një studio, e cila do i ftojë të gjithë jo vetëm të apasionuarit e letërsisë, por të gjithë turistët për të kuptuar jo vetëm figurën e vet shkrimtarit, por dhe mënyrën dhe tipologjinë e të jetuarit gjatë periudhës së komunizmit”.
Gjatë vitit 2018, Tiranën e kanë vizituar rreth 2 milionë turistë. Ndryshe nga vitet e tjera, tashmë turistët e zgjedhin Tiranën jo më për një ditë, por për disa ditë qëndrimi.