Një iniciativë shumë domethënëse të ndërmarrë nga prefekti i qarkut të Shkodrës e ka vlerësuar drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliun, nismën “Sheh diçka, thuaj diçka”. Një takim sensibilizues i mbajtur në Shkodër më maturantë në gjimnazin “28 Nëntori” nxori në pah qëllimin e kësaj iniciative, për të arritur në një bashkëpunim të domosdoshëm të qytetarëve me policinë në luftën ndaj krimit. Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se kjo është nisma e duhur për të krijuar së bashku një ambient sa më të sigurt në aleancë me qytetarët.
Ndërsa sa i përket fitimit të besimit të qytetarëve pas një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, Veliu deklaroi se po fitohet besimi i qytetarëve për të denoncuar, kjo edhe falë punës së policisë dhe goditjes së grupeve kriminale prej disa kohësh në Shkodër.
Veliu ka kërkuar besimin dhe mbështetjen e qytetarëve e sidomos të brezit të ri, që ata të kontribuojnë në adresimin e paligjshmërisë tek Policia e Shtetit, duke iu garantuar anonimatin.
“Sheh diçka, thuaj diçka”. Është pikërisht kjo mënyra e duhur për të qenë një hap me afër nesh.Iniciativë shumë domethënëse e ndërmarrë nga Prefekti i Qarkut. Iniciativë që duhet përqafuar nga të gjithë, pasi Policia është në luftë të pandërprerë me krimin, por pa mbështetjen tuaj e ka më të vështirë. Po pse një hap i tillë është më i sigurt për ju dhe për ne? Spse indiferentizmi nuk është mënyra e duhur dhe aq më pak heshtja, kur përballemi me krimin. Siguria është një kontribut i secilit prej nesh. Jemi qytetarë të këtij vendi dhe kemi përgjegjësinë e sigurisë së personit krah nesh e përballë nesh. Tërheqja dhe mospërfshirja është mënyra më e thjeshtë, por pa dyshim, është mënyra më e pasigurt. Shpërndarja e përgjegjësive nuk tregon mbështetje.
Në rast se qytetarët veprojnë për atë çka shohin, përcjellin informacion, kanë bërë hapin e duhur, hapin që sjell siguri. Numri 112 është zëri yt. Ne jemi këtu, jemi pjesë e juaja, askush prej jush s’është vetëm, ndaj jemi këtu për t’ju ndihmuar e për të na ndihmuar, që të rrisim parametrat e sigurisë së jetës. Denonconi në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital, rastet e paligjshmërisë, në çdo fushë ku konstatoni paligjshmëri, por jo vetëm. Denonconi punonjësit e Policisë që nuk meritojnë besimin tuaj, që nuk meritojnë të paguhen nga taksat tuaja, që shpërdorojnë besimin tuaj. Ju garantoj anonimatin dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, u shpreh kryepolici Veliu.
Prefekti i qytetit të Shkodrës, Valtrin Pjetri tha se është kohë të merremi me gjërat që na bashkojnë dhe jo që na ndajnë për një mjedis më të sigurt.
“Krimi nuk ka fe, nuk ka ngjyrë, nuk ka politikë, ka vetëm një qëllim, të vrasë shpresën. Prandaj jemi të gjithë këtu për të ndërtuar një marrëdhënie të re mes komunitetit dhe policisë së shtetit, për të gjetur format e bashkëpunimit për të mposhtur të keqen. Jemi të gjithë këtu në mbështetje të Policisë së Shkodrës, pasi ajo e vetme, pa ne, nuk mund ta luftojë si e sa duhet krimin. Nënë moton “Shesh diçka, thuaj diçka” duam të sensibilizojmë komunitetin tonë për të denoncuar çdo paligjshmëri. Vetëm kështu mund të garantojmë një të ardhme më të sigurt. Kjo nismë do të jetë një triumf pasi nismëtarët janë të rinjtë dhe bashkë mund të shembin muret e të keqes dhe të ndërtojnë kanale shprese për të gjtihë qytetarët e Shkodrës. Shkodra së fundi ka një vëmendje të shtuar nga ana e qeverisë”, u shpreh Prefekti i qarkut të Shkodrës Valtrin Pjetri.
Më pas të gjithë të pranishmit kanë bërë një marshim në rrugët e qytetit, në shenjë solidarizimi dhe mbështetjeje për Policinë e Shtetit.
Aktiviteti u zhvillua me iniciativë të Prefektit të Qarkut dhe me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale, u zhvillua një aktivitet sensibilizues në mbështetje të Policisë.
Të pranishëm në aktivitet ishin zëvendësministrat e Brendshëm Besfort Lamallari dhe Romina Kuko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, përfaqësues të komuniteteve fetare, të institucioneve si dhe nxënësit e shkollave të mesme të qytetit.
Prej Janarit e deri sot, janë dhjetëra e qindra raste ku qytetarët në të gjithë vendin kanë denoncuar paligjshmërinë në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje, organizimit të lotarive të palejuara, krimeve mjedisore, në parandalimin e konflikteve me pasoja të rënda për jetë, si dhe në fushën e sigurisë rrugore.