Ndërkohë që familjarët e Ragip Hajdinit u shprehën dje se ai nuk kishte një pseudonim të tillë si “Daja”, por thirrej si Gipa, nga një vështrim në rrjetin social “Facebook” të tij rezulton ndryshe.
Në komentet e lëna në fotot e postuara nga Hajdini ka persona që e thërrasin atë edhe “Daja” ndër të tjera. “Ragip Daja, bukur”, shkruan një prej miqve të 50-vjeçarit, ashtu siç edhe Alkond Bengasi është shprehur në dëshminë e tij. Nga ana tjetër, familjarët e Hajdinit u shprehën dje për mediat duke e mohuar.
“Vëllai im nuk njihet me asnjë nofkë të veçantë, por thirret Gipa”, tha vëllai i 50-vjeçarit. Ndërkohë, para Gjykatës ai ka pranuar se ka miqësi me familjen Murataj. Ai i ka thënë Gjykatës se ka qenë në një lokal duke drekuar me disa miq të tij ditën e ngjarjes dhe këtë mund ta vërtetonte në çdo kohë.
Gjithashtu, “Daja” përpara togave të zeza është shprehur se Prokuroria e ngatërron me person tjetër dhe për këtë ka kërkuar ballafaqim me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Alkond Brengasin, shkruan panorama.
“Unë nuk kam lidhje me ngjarjen. Unë njoh Aleksin, vëllain e Admir Muratajt, e kam takuar në Gjermani disa vite më parë dhe që prej asaj kohe kemi miqësi familjarisht. Dua të shtoj se unë kam qenë dhe në varrimin e Admirit bashkë me familjarët e mi, pasi siç e thashë më lart, kemi hyrje-dalje familjare”, ka thënë ai.
g.kosovari