Nga Alfred Peza
Pas daljes nga sistemi parlamentar i vendit dhe djegies së afatit të 23 qershorit për regjistrimin në KQZ për të marë pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit, “Opozita e Bashkuar” po bën veprime gjithnjë e më boshe.
Dalëngadalë nga një trupë politike, ajo po shndërrohet në një organizatë joqeveritare, duke humbur çdo ditë e më tepër thelbin e qëllimit për të cilat krijohen partitë në sistemet pluraliste dhe demokratike.
Me pompozitetin maksimal të formës por me zero nivel përmbajtje, drejtuesit e këtij grupimi paraqitën publikisht, ato që i cilësuan si 10 detyrat kryesore të qeverisë tranzitore. Ajo sallë të kujtonte pasazhet e një romani me skena haluçinante, ku në një pension lart në një mal diku në askund, pleqësia për shtyrë kohën mblidhej rregullisht çdo ditë, për të ndarë portofolet e qeverisjes së botës.
Për të kuptuar se përse këto parti politike të opozitës së vjetër jashtë sistemit, janë shndërruar tashmë në organizata joqeveritare, pyetjet që lindin janë:
Çështë një parti politike?
Bashkim vullnetar njerëzish, qëllimi i të cilëve është marrja e pushtetit për realizimin e programit të tyre të përbashkët, në zgjidhjen e problemeve të vendit. Partitë marin pjesë në fushatat elektorale duke kandiduar anëtarët e tyre për mandate parlamentare, për qeverisjen vendore dhe drejtimin e administratës shtetërore, në mënyrë që pas suksesit në zgjedhje, të realizojnë programet e tyre.
Çështë një organizatë joqeveritare?
Janë organizime të mbështetur nga faktorë të ndryshëm joqeveritar, për të adresuar dhe zgjidhur probleme të ndryshme të individëve dhe grupeve shoqërore, për të marrë pjesë në jetën publike dhe shfrytëzuar burimet legale për arritjen e një qëllimi të caktuar. Janë formalisht të institucionalizuara, joqeveritare, jofitimprurëse, vullnetare e vetqeverisëse. Ato mbledhin informacione për çështje me interes publik nga fusha të ndryshme, duke i ekpspozuar gjetjet e tyre, në mënyrë që të sensibilizojnë shoqërinë dhe institucionet, për zgjidhjen e tyre në interes të qytetarëve.
Pra siç shihet, partitë kanë programet e tyre politike dhe elektorale. Marin pjesë në procese zgjedhore me kandidatët e tyre, me synimin për të ardhur në pushtet e të qeverisin që ta zbatojnë programin. Ndërsa organizatat joqeveritare gjetjet e tyre ose tentojnë ti zgjidhin me instrumenta joqeveritar (prandaj quhen të tilla), ose sensibilizojnë shoqërinë që ajo të ndërgjegjësohet për vetpërmirësim, ose zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet që kanë për detyrë që ti zgjidhin ato.
Me pak fjalë, organizatat joqeveritare e shpjegojnë, mundohen ta edukojnë dhe e sensibilizojnë shoqërinë dhe botën. Ndërsa partitë politike votohen në procese zgjedhore në mënyrë që të marin pushtetin, për ta ndryshuar atë.
Për një moment le ta pranojmë se këto partitë e opozitës që tani kanë dalë me vullnetin e tyre të lirë jashtë sistemit politik të vendit, e bënë programin me 10 pika dhe le të biem dakord “apriori”, se ai qenka i shkëlqyer. Përderisa ata as janë në Parlament, as janë në pushtet qëndror, as janë regjistruar e nuk do jenë as në pushtet lokal, si do ta adresojnë dhe do ta zbatojnë atë?! Ndaj, për aq kohë sa “Opozita e Bashkuar” e ka vetpërjashtuar veten nga mundësia për të qenë pjesë e sistemit politik të vendit, këto propozime të saj, nuk janë gjë tjetër veçse produkte të një organizatave joqeveritare!