Historiani i njohur, Paskal Milo, shprehet se qëllimi i botimeve të Institutit Kundër Krimeve të Komunizmit duket se ka qenë denigrimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Nga Aristir Lumnezi
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Milo mendon se lista e 265 kriminelëve të Luftës, sipas botimit të këtij Instituti, është produkt i kokave të ndryshkura me helmet e konflikteve të vjetra. Duke folur për elementët e një lufte civile në Shqipëri, historiani i njohur shprehet se edhe vëllavrasjet nuk kanë munguar, por nuk ka qenë ky qëllimi i kësaj lufte, por çlirimi i vendit nga pushtuesit e huaj.
Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, në një botim të tij ka publikuar një listë me 265 emra komandantësh dhe drejtuesish të formacioneve partizane si njerëz që kanë kryer krime gjatë Luftës. Si e vlerësoni këtë listë?
Lista ishte një provokim jo aq personal për emrat që përmendeshin e për akuzën që u bëhej atyre. Në demokracinë gjysmake që kemi, gjithsesi krimi dhe kriminelët cilësohen e dënohen me vendim gjykate. Deri sot nuk di që në gjykatat shqiptare apo ndërkombëtare të jenë dënuar këta 265 njerëz me emra të përveçëm, burra e gra, të rinj e të reja, komandantë e partizanë të thjeshtë, heronj të popullit e dëshmorë të atdheut. Ata që morën rolin ehetuesve e të gjykatësve përcaktuan edhe kriteret e hetimit e të gjykimit, objektin dhe mbi këtë bazë, në mënyrë selektive gërmuan nëpër arkiva për të gjetur lëndë për të ndërtuar pretencën. Pra, u nisën me qëllim dhe e paragjykuan procesin, e dinin që më parë dhe i kishin në kasafortën e kokës së tyre përfundimet e një hulumtimi arkivor.
Thjesht dhe formalisht u duhej lënda e parë për të ndërtuar konstruksionin e akuzës, pa u menduar shumë për cilësinë e saj. Sot botohen shumë libra me papërgjegjshmëri të plotë, shumë të dobëta, pa kulturë e pa kriter. Gjithsecili që ka një ambicie, qoftë edhe pozitive, shkruan kujtime, tregime, romane, poezi e libra historikë për familjen, fisin, fshatin, krahinën e për ngjarje madhore të historisë kombëtare.
Janë në të drejtën e tyre dhe me shpenzimet e tyre. Përtej kësaj është ana tjetër e medaljes, që e shtruar në formën e pyetjes, është: Ai lexon kush këto libra? Përgjigjja është: Vetëm një rreth i vogël njerëzish, duke nisur nga familja, ndofta fisi apo miq të veçantë. Libra të kësaj kategorie, edhe kur përmbajnë broçkulla e të pavërteta, nuk sjellin ndonjë dëm të madh social, kulturor e shkencor.
Koha dhe njerëziti seleksionojnë dhe ato i mbulon pluhuri i harresës.Por libra të tillë janë shoqërisht dhe shkencërisht shumë të dëmshme kur botohen me stampën e ndonjë institucioni që financohet nga shteti, qoftë ai shkencor, politik, kulturor etj.. Botime të tilla implikojnë shtetin, politikën zyrtare, qeverinë dhe krijojnë me qëllim opinione se dhe një përçartje historiografike për Luftën, është qëndrim shtetëror.
Ky ka qenë edhe objektivi i botimit të atij libri për krimet e komunizmit në vitet 1941-1945 nën egidën e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit. Shteti shqiptar, edhe me rezolutë të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë, është angazhuar në dënimin e krimeve të kryera gjatë diktaturës komuniste dhe në këtë drejtim, edhe Instituti në fjalë ka dhënë kontributet e veta.
A e ka tejkaluar ky Institut objektin e punës së tij të miratuar me ligj, kur Instituti ka si detyrë hulumtimin e krimeve të periudhës së komunizmit?
Instituti në fjalë e ka tejkaluar objektin e punës së tij dhe për këtë çështje përgjatë gjithë ditëve që janë zhvilluar debate, janë sjellë shumë argumente, të cilat unë nuk dëshiroj t’i përsëris. Kufijtë kohorë se kur fillon periudha e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, tashmë i dinë edhe nxënësit e ciklit të ulët të shkollave tona dhe jo më një Institut dhe aq më shumë ata që pretendojnë se shkruajnëme cilësinë e historianit.
Arkivat janë të hapura për studiuesit sipas rregullave të miratuara me ligj, por jo çdo dokument arkivor mund të merret e të keqpërdoret jashtë objektit të punës të përcaktuar e të miratuar nga autoritetet e administrimit të arkivave. Këtu është rasti të ngrihet me shumë shqetësim edhe njëherë tjetër çështja e ruajtjes dhe administrimit të dokumentacionit arkivor.
Ka mbi çerek shekulli që vlerat e çmuara kombëtare që ruhen nëpër arkiva janë rrëmbyer e masakruar, janë shitur e janë keqpërdorur për qëllime politike, por edhe për të denigruar njerëz të veçantë, për t’i kërcënuar e për t’u hakmarrë. Ka tipa të veçantë, që duke shfrytëzuar injorancën dhe papërgjegjshmërinë e qeverive e të drejtuesve të lartë të institucioneve shtetërore, kanë vjedhur arkiva të tërë jo vetëm në kuptimin e saktë të fjalës, por edhe përmes fotokopjimit, mikrofilmimit e skanimit të dokumenteve.
Të gjithë janë dëshmitarë se si disa të ashtuquajtur studiues e gazetarë, sapo provokohet një debat për një ngjarje ose person të caktuar, janë hazërxhevapë të nxjerrin dokumente e t’i botojnë si simite prej furrës. Një shtet serioz do t’i kishte vënë këta njerëz përpara përgjegjësisë ligjore për shpërdorimin e vlerave kombëtare e të detyrave zyrtare që mund të kenë pasur. Megahajdutëria në Shqipëri është bërë sport kombëtar e përsa kohë këtu nuk janë dënuar peshqit e mëdhenj të të gjitha ngjyrave e të të gjitha llojeve, hajdutët e letrave dokumentare janë të fundit.
Pikërisht se në Shqipëri ndëshkueshmëria e këtyre krimeve është zero, ndaj edhe po mbetemi kudo nga fundi e nuk na marrin seriozisht. Duke iu rikthyer pyetjes tuaj për arsyet se përse Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit me botimet e përmendura ka dalë jashtë funksioneve dhe objektit të tij të punës, dua të nënvizoj se arsyeja kryesore ka qenë goditja dhe denigrimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
Të gjithë ata që punojnë ose dhe bashkëpunojnëme këtë Institut (ndjesë për ndonjë zotëri që nuk e ka këtë bindje) janë të lidhur me antikomunizmin dhe ky pozicion politik është e drejta e tyre dhe askush nuk ka përse të ankohet, aq më tepër në një shoqëri demokratike e pluraliste. Dhe po kështu, aty mund të ketë trashëgimtarë biologjikë dhe ideorë të organizatave ose individëve kolaboracioniste të Luftës së Dytë Botërore. Përsëri atasi individë janë në të drejtën e tyre ta ruajnë e ta mbrojnë po të duan këtë identitet historiko-politik.
Por ata nuk kanë të drejtë që, për sa kohë punojnë në një institucion shtetëror me objekt të qartë e të përcaktuar pune, të merren me botime të financuara nga financat publike e që mohojnë e tjetërsojnë vlerat antifashiste të popullit shqiptar dhe kontributin e tij të njohur e të pranuar ndërkombëtarisht në luftën kundër nazifashizmit. Pikërisht këto vlera qëndrojnë në themelet e kësaj Shqipërie demokratike që kemi sot. Ndaj edhe reagimi i fuqishëm që shpërtheu ndaj botimit të këtij Instituti nuk është thjesht siç rreken të thonë disa njerëz i një grushti veteranësh komunistë apo i familjarëve të njerëzve të akuzuar apo edhe i përfaqësuesve tëish-nomenklaturës komuniste.
Ky është një thjeshtëzim banal i problemit. Reagimi dhe polemika e ashpër që shpërtheu është tregues i qartë i ndjeshmërisë së lartë që ekziston mes shumicës së shqiptarëve për ruajtjen e vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por në tënjëjtën kohë është tregues fatkeq i ndarjes së thellë që ekziston mes një pjese të shqiptarëve, 75 vjet pas përfundimit të Luftës, e cila reflektohet edhe në politikën e sotme shqiptare e madje stimulohet prej saj.
Në fakt, drejtuesit e Institutit pohojnë se nuk kanë bërë asgjë më shumë sesa publikimi i gjetjeve nga arkivat e PPSH, ku pohohen krime të bëra nga komandantë të Luftës, një pjesë e të cilëve ranë ose dëshmorë ose u shpallën heronj të popullit. Meqenëse periudha e Luftës u shkrua dhe u rishkrua për 45 vjet nga fitimtarët, a ka nevojë për rishikim të saj?
Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri duhet të jetë objekt studimi i historianëve profesionistë dhe jo sharlatanëve. Përsa kohë që të gjithë kërkojnë të bëhen specialistë e të interpretojnë historinë sipas qejfit dhe interesave, kjo situatë tragjikomike që po përjetojmë sot do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Historia e Luftës as nuk ribëhet as nuk rishihet. Ajo vetëm rishkruhet. Këto janë koncepte metodologjike shkencore, që nuk i kemi shpikur ne si shqiptarë. Ngjarja ndodh vetëm një herë e nuk përsëritet si rolet e aktorëve në sheshet e xhirimit të filmave.
Ngjarjet dhe fenomenet historike riinterpretohen e rishkruhen për arsye e këndvështrime të ndryshme. Ka afro 30 vjet që ka rënë regjimi komunist në Shqipëri dhe po kaq kohë që historia e Luftës është rishkruar.Kush ka penguar? Askush. Madje pati një periudhë kohe që institucionet e specializuara për studimin e historisë së Luftës ranë përmbys në batakun e politikës dhe nën presionin e saj në emër tërishkrimit e bënë atëmë çorbë se amatorët dhe revanshistët e historisë.Politika duhet të rrijë larg ndërhyrjes në vështrimin dhe interpretimin e historisë. Mirëpo, kjo në Shqipëri është e vështirë të bëhet.
Liderët jetëgjatë politikë shqiptarë kanë menduar e janë sjellë me historinë si me çifligun personal, ekanë identifikuar veten me historinë kombëtare dhe më tepër kanë synuar e punuar për të mbetur në histori. Që të gjithë, që nga Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, por edhe Edi Rama kanë menduar e mendojnë, kanë ëndërruar e ëndërrojnë që të radhiten pas Skënderbeut! Rishkrimi i historisë është proces i njohur dhe i nevojshëm. Por atë mund e duhet ta bëjnë historianët dhe jo oborrtarët e njerëzve në pushtet dhe as sharlatanët e paguar për të nxirë letrame të pavërteta.
Ndërhyrja e të “mëdhenjve” të politikës në historishkruarje ose në dhënien e platformave apo direktivave se si duhet interpretuar ngjarja dhe personaliteti historik, ka efekte dhe rrjedhoja negative në shkencë, por edhe në jetën publike. Modeli më i freskët negativ i kësaj qasjeje ishte ceremoniali superluksoz e bombastik i Kryeministrit Rama në rehabilitimin e kryetarit të Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri.
Përtej kësaj, pjesa e Luftës duhet parë bardhezi, heroike dhe tradhtare, apo duhen parë aty dhe elemente të luftës vëllavrasëse civile? Nuk mund të shihen këto përpjekje si nisje të rishikimit të historisë?
Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri padyshim që ka nevojë të studiohet e të interpretohet më mirë, të ndriçohen aspekte të veçanta të saj që janë lënë në hije ose injoruar. Trajtimi i saj duhet të zhvishet nga interpretimet partizane bardhezi. Në këtë Luftë nuk ka pasur vetëm e kudo ballistë të këqij e partizanë të mirë. Te Balli Kombëtar, Legaliteti e forcat nacionaliste të Veriut kishte edhe elementë atdhetarë e të pakompromentuar në bashkëpunim me pushtuesin, antifashistë që luftuan e kontribuuan. Dhe këta nuk duhen futur në një thes me kolaboracionistët, që i çuan formacionet e tyre politike e ushtarake në bashkëpunim të hapur me pushtuesit.
Lista e shpallur e 265 “kriminelëve” të UNÇL, sigurisht që është produkt i kokave të ndryshkura me helmet e konflikteve të vjetra. Por edhe mes tyre ka pasur njerëz që kanë urdhëruar vrasje ose vranë me dorën e tyre bashkëluftëtarë, ballistë të thjeshtë e të pafajshëm, robër lufte italianë e gjermanë etj.. Por nuk ka qenë thelbi i Luftës, po e përsëris, nuk ka qenë ky misioni i saj. Në çdo luftë ka teprime nga palët ndërluftuese, ka dhe akte vëllavrasëse siç ka pasur edhe në Shqipëri. Këto minuse nuk e lëkundin shtyllën vertebrale të Luftës si Antifashiste e Nacionalçlirimtare.Mos prishni ato që na nderojnë. Të ndreqim ato që na ndajnë e na turpërojnë. Kjo është këshilla ime.