Gjithçka nisi me dy turistë që u ankuan se u ishte shërbyer ushqimi i gabuar në restorant dhe zënka përfundoi me dhunë. Turistët zakonisht shkojnë në Bad Schallerbach në Austri për ecje të bukura në male, paqe dhe qetësi. Por mbrëmjen e së mërkurës, 2 turistë që kishin dalë për të ngrënë darkë u kthyen me mavijosje në hotel.
Policia, e cituar nga “BBC”, tha se pronari 56-vjeçar i restorantit, identiteti i plotë i të cilit nuk bëhet i ditur, iu përgjigj ankesës së tyre duke ua hedhur ushqimin në fytyrë.
“Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë”, tha një prej turistëve, duke shtuar se pronari i restorantit ishte i dehur.
Kur njëri prej tyre u përpoq të telefononte policinë, pronari raportohet se i nxori jashtë. Një tjetër familje me 4 persona po ashtu doli nga lokali pas zënkës.
Edhe kur mbërriti policia pronari i restorantit vazhdoi të ishte abuziv me turistët, çka solli edhe procedimin e tij.
Sipas medias austriake, restoranti ku ndodhi incidenti njihet për ushqime të mira tradicionale dhe është popullor për alpinistët, çiklistët dhe udhëtarë të shumtë.
/a.rada