Lionel Messi ka krijuar një thesar të vërtetë gjatë karrierës së tij të shkëlqyer në futboll, me një pagë mujore marramendëse, njëlloj sikurse të ardhurat e tjera të gjeneruara nga kontratat e sponsorizimit.
Në fakt, ylli argjentinas po shijon një prej karrierave më të suksesshme në historinë e futbollit botëror, teksa ka udhëhequr Barcelonën drejt 9 titujve kampion në La Liga, si dhe 4 trofe të Champions League, përtej trofeve të tjerë.
“Pleshti” tashmë 31-vjeçar është nën kontratë me Barcelonën deri në vitin 2021 dhe presidenti i ekipit katalan ka nisur të punoj për një kontratë të re me argjentinasin, me shpresën që Messi ta mbyllë karrierën si blaugrana.
Por sa është aktualisht paga e Lionel Messi dhe sa janë të ardhurat totale vjetore të yllit të Barcelonës? Pas një pune kërkimore, “Express Sport” ka përmbledhur informacionin mbi pagat e Lionel Messi dhe thesarin vjetor që argjentinasi gjeneron.
Referuar raportimeve të “L’Equipe”, Messi fiton një rrogë mujore prej £7.3milionë para taksave, që përkthehet në afërsisht £1.7 milionë në javë për yllin e Barcelonës.
I njëjti raport bën me dije se Cristiano Ronaldo është futbollisti i dytë më i paguar në botë me një pagë prej £4.1 mlionë në muaj. Në këto shifra mësohet se përfshihen bonuset dhe premiot mbi pagën bazë të dy futbollistëve.
Përfitimet mujore të Messit shtohen ndjeshëm edhe nga një mori tjetër të ardhurash falë kontratave të sponsorizimit e reklamave. Messi sponsorizohet nga markat e famshme Adidas, Pepsi dhe Konami.
Ylli i Barças ka qenë gjithashtu edhe fytyra globale e kompanive si Gillette, Turkish Airlines dhe Tata Motors. Raportohet se përfitimet e përgjitshme të Messi-t përllogariten në £310 milionë ($400mln).
/a.rada