Ministri i Jashtëm në detyrë për Punët e Jashtme dhe Evropë, Gent Cakaj pyetet nëse zgjedhjet brenda Bashkimit Evropian do të kenë ndikim për vendimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
“Aktualisht, BE karakterizohet prej 3 sfidave madhore. Sfida e parë është Brexit, e dyta është diskutimi për riorganizimi i brendshëm dhe sfida e tretë është për kohezionin social. Natyrisht që klima e brendshme në BE mund të prodhojë një qasje të tjetër të BE-së sa i përket zgjerimit. Natyrisht, që klima politike në BE mund të ndikojë edhe vendimin për hapjen e negociatave. Ne si qeveri marrim përgjegjësitë absolute. Nëse Komisioni konstaton që kushtet teknike janë përmbushur, pjesa tjetër është vendimmarrje politike”, tha Cakaj.
I ftuar në studion e “Open”, Cakaj është përplasur me kryeredaktorin e gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari, i cili e akuzoi për kontradiktë për deklaratat në lidhje me kancelaren Angela Merkel.
Ministri i Jashtëm në detyrë, Cakaj i tha Rakipllarit se takimi me Merkel ishte krejt i ndryshëm nga Samiti i Berlinit dhe se Berlini zyrtar është pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Më tej, Rakipllari i vuri në dukje ministrit se nuk është bërë asnjë hap përpara për integrimin në 6 vite.
“Procesi i asocimit nuk është anëtarësim. Sfida jonë nga qershori ka qenë kombinimi i potencialit reformator me procesin e anëtarësimit. Ju keni konfuzion total për këtë çështje”, iu drejtua Cakaj Rakipllarit.
Më tej Rakipllari ka deklaruar se Gent Cakaj është dekoruar nga Rama për negociatat që ka zhvilluar vitin e kaluar me Brukselin për arritjet e rekomandimit pozitiv vitin e kaluar.
Por Cakaj i është përgjigjur menjëherë dhe i ka thënë se nuk është i saktë në asnjërin nga kostatimet pasi nuk është e vërtetë që ai ka marrë dekoratë apo medalje.
Rakipllari ka insistuar se ka edhe foto për këtë çështje, ndërsa Cakaj ja ktheu: Nëse kam marrë dekoratë apo medalje jam gati të jap dorëheqjen.
g.kosovari