Nëse një 10-vjeçar ka nevojë për një shtysë që ia vlen të ndiqet një karrierë si futbollist, ajo nuk mund të vijë më e fortë sesa nga Denis Bergkamp.
Doni van de Bek mund të ketë shpërthyer në skenën europiane me golat e tij kundër Juventusit dhe Totenhemit, por gjatë një dekade, ai ka marrë bekimin dhe ushqimin e legjendës së Ajaksit dhe Arsenalit. Bergkamp punonte si trajneri i të rinjve të Ajaksit, kur Van de Bek iu bashkua ekipit të tij U-12 gjatë sezonit 2008-09.
Kur Frenk De Bur u bë trajner i ekipit të parë, Bergkamp nxiti asistentin e tij, duke i folur menjëherë për talentin e këtij djaloshi: “Denis nisi të flasë me entuziazëm për një talent në skuadrën e tij të të rinjve. Ishte një djalë që i kujtonte atij veten në atë moshë. Ai ishte Doni”.
Trajneri i të rinjve, Ruben Jongkind, kujtoi të njëjtën histori për “DailyMail”: “Bergkamp, ai ishte një nga ata që e pa kur ishte 10 vjeç dhe tha: ‘Ky do të bëhet një lojtar i shkëlqyer’”. Bergkamp mund të ketë vënë re atë që të tjerët nuk e bënë, por Van de Bek mund të mos ishte bërë një nga talentet më të mëdha të futbollit sot nëse nëna e tij do të kishte marrë një tjetër vendim. 22-vjeçari vjen nga një zonë e Holandës, Nijkerk, e cila njihet për bujqësinë. Gerdina, nëna e tij, e shihte me pak entuziazëm sportin.
Babai Andre kishte tjetër opinion dhe e dërgoi te Venshe Bojs. “Pas stërvitjes së parë, ai ishte plotësisht i shitur dhe topi nuk u zhduk më kurrë nga jeta e tij”, tregoi Andre në vitin 2016. Ishte aq i talentuar, sa në moshën 10- vjeçare, Utrehti, Fejnordi dhe PSV i ishin vënë pas. Por familja ishte tifoze e Ajaksit dhe do të zgjidhte gjithnjë gjigantët nga Amsterdami. Edhe pse Bergkamp ishte entuziast për të që në moshë të re, kishte probleme me lojën e tij dhe Bergkamp i kërkoi Jongkindit që të bënte punë shtesë individuale.
“E vendosëm nën një sistem goxha rigoroz stërvitjeje fizike. Kishte nevojë për të. Vinte nga një zonë fermerësh. Përfitoi shumë nga departamenti i paraqitjes, morëm njerëz nga futbolli amerikan dhe xhudo”, vazhdon Jongkind. Por Van de Bek ra në sy të një tjetër figure më të rëndësishme sesa Bergkamp, Johan Krojf. Andre dhe Krojf bënë një takim në Amsterdam. “Rashë plotësisht në heshtje”, thotë Andre. “Johani më tha: ‘E njoh djalin tuaj, po. Ai është Doni van de Bek. Është i mirë në këtë dhe në këtë…’ Ai dinte gjithçka. E di sa e çuditshme është që idhulli yt të dijë gjithçka për djalin tënd? Më tregoi gjithçka deri në detajet më të vogla”.
“Ai nisi të shkëlqejë me U-19 kur ishte tek U-16. Te Bilbao dhe Vijareali përdornin një ndeshje mes Ajaksit U-19 dhe Barçës si shembull për futbollin e të rinjve. Ai përfitoi shumë. Punuan edhe me finalizimin e tij, gjë që nuk bëhet zakonisht në futbollin e të rinjve”, kujton Jongkind. Ishte e pamundur që ai të mos hidhej shpejt në arenën e madhe. Debutimi me ekipin e parë erdhi në nëntor 2015, kundër Sëlltikut në Ligën e Europës.
Ajaksi fitoi 2-1 dhe prej atëherë Van de Bek nuk e ktheu më kurrë kokën pas. De Bur e aktivizoi gjithnjë e më shpesh, ndërsa e bëri një titullar gjatë sezonit 2016-17. Barça dhe Bajerni iu vunë pas. Verën e shkuar refuzoi Romën, sepse besonte se Ajaksi ishte vendi i tij më i mirë. Pati të drejtë. Pak besonin te “La Pausa”, njeriu që ngadalëson lojën kur erdhi në “De Toekomst” në 2008. Pak, përveç njëfarë Bergkamp./panorama
g.kosovari