Themeluesi i “Wikileaks”-it, Julian Assange tha para një gjykate në Londër se, me punën e tij ka mbrojtur “shumë njerëz”. Ai e kundërshtoi ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për komplot dhe publikim të sekreteve qeveritare. Assange mund të dënohet me 5 vite burgim nëse shpallet fajtor.
“Unë nuk dua të dorëzohem për ekstradim. Kam fituar shumë çmime dhe kam mbrojtur shumë njerëz”, tha Assange para trupit gjykues. Paraqitjen në gjykatë, ai e bëri përmes një videokonference nga një burg britanik.
Më 1 maj, një gjykatë britanike e dënoi me 50 javë burgim Julian Assange, për shkak të shkeljes së rregullave të lirimit me kusht. Assange ka qëndruar si refugjat në Ambasadën e Ekuadorit në Londër që nga viti 2012, për t’i shpëtuar ekstradimit në Suedi, ku pritej të përballej me dyshimet për sulme seksuale dhe dhunime.
Faqja “Wikileaks” ka publikuar mijëra dokumente të klasifikuara, duke u nisur nga industria e filmit deri te siguria kombëtare dhe lufta. Kjo llogaritet të jetë rrjedhja më e madhe e dokumenteve të fshehta në historinë e Shteteve të Bashkuara.
/a.meta