Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje të gjithë ekspertëve kontabël të licencuar dhe ekspertëve financiarë të cilët janë të interesuar që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda datës 6 Maj me qëllim auditimin dhe mbikëqyrjen e shpenzimeve të partive politike në fushatë. Deri tani opozita, PD, LSI dhe partitë e tjera aleate nuk janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, pasi më parë kërkojnë largimin e Ramës dhe krijimin e një qeveri tranzitore për të përgatitur procesin.
Deklarata e plotë nga KQZ-ja
Në zbatim të nenit 91 të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të auditojë partitë politike për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për zgjedhjet e datës 30 qershor 2019. Gjithashtu, ligji “Për partitë politike” i ndryshuar me ligjin nr. 90/2017, e ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikqyrjen e financimit të partive, gjatë fushatës zgjedhore.
Bazuar në rëndësinë e veçantë të transparencës së fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, i bëjmë apel ekspertëve kontabël të licensuar dhe ekspertëve financiarë, që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së brenda datës 6 Maj, për përmbushjen e këtij detyrimi ligjor.
Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël të licensuar dhe ekspertët financiarë, KQZ në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për Partitë politike, i ndryshuar, do të emërojë me short, një numër të mjaftueshëm ekspertësh financiar për të monitoruar fushatën zgjedhore dhe ekspertësh kontabel të licensuar, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara për zgjedhjet e 2019.
Ekspertët kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabel të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet, të plotësojnë edhe kriteret e përcaktuara në Udhëzimet e KQZ-së, të cilat mund të gjenden në faqen zyrtare të internetit.
Ndër të tjera, ekspertët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë KQZ-së:
1- Kërkesë aplikimi;
2- Deklaratë e nënshkruar nga kandidati lidhur me kriteret e përzgjedhjes të sipërcituara.
Të gjithë ekspertët kontabël licensuar dhe ekspertët financiarë të cilët plotësojnë kriteret, janë të lutur të aplikojnë pranë KQZ-së brenda datës 6 Maj dhe të kontribuojnë në realizimin e kësaj detyre të përbashkët që na ngarkon ligji.
/a.meta