Mijëra marshues protestuan në Venezuelë të mërkurën, në përpjekje për të detyruar presidentin socialist Nicolas Maduro të largohet nga pushteti, ndërsa tensioni po rritet edhe mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, mbi qëndrimin politik ndaj kombit anëtar të OPEC-ut.
Udhëheqësi i opozitës Juan Guaido kishte bërë thirrje për “marshimin më të madh” në historinë e Venezuelës dhe të martën i kërkoi ushtrisë mbështetje, por udhëheqja e forcave të armatosura deri më tani ka qëndruar besnike ndaj Maduros, i cili që nga viti 2013 në pushtet.
“Nëse regjimi mendonte se kishim arritur presionin maksimal, ata as që mund të imagjinojnë forcën tonë” tha Guaido në përshëndetjen për mijëra përkrahës në Karakasin lindor. “Duhet të qëndrojmë në rrugë”, shtoi ai.
Nën një diell të nxehtë, mbështetësit u binin baterive dhe mbanin flamuj të Venezuelës e pankarta ku shkruhej “liri”. Në një vend tjetër në Caracas disa protestues me fytyra të mbuluara me këmisha, hodhën predha nga një mbikalim pranë oficerëve të Gardës Kombëtare.
Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të drejtuar nga opozita, njihet si Presidenti legjitim i Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe të tjerët, por Maduro mbështetet nga vende si Rusia, Kina dhe Kuba.
Manuel Ricardo Cristopher Figuera që ka qenë në krye të policisë sekrete të Venezuelës, është larguar nga rrethi ngushtë i presidentit Nicolas Maduro, ndërsa shteti ka hyrë në ditën e dytë të trazirave.
Mundësia që rrethi ngushtë i Maduros është duke u thyer, tregon fakti se është dorëhequr kreu i policisë sekrete dhe shkëputi lidhjen me presidentin.
Në një letër të drejtuar popullit venezuelian, Figuera ka shkruar se deri më tani i bindej udhëheqësit Maduro, por se tani është koha që të ‘rindërtohet shteti’.
“Ka ardhur koha, që ne të shikojmë një formë ndryshe për të bërë politikë. Shërbyesit e lartë shtetërorë, janë pasuruar së tepërmi dhe korupsionin e praktikojnë si sport” ka shkruar Figuera.
Letra që po qarkullon në rrjetet sociale, është hulumtuar nga një ekspert në Shtete e Bashkuara, që ka konfirmuar se ai është autori që e ka shkruar.
g.kosovari