Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma thotë se opozita nuk e njeh Edi Ramën si kryeministër, por nuk ka legjitimitet që të mos e njohë si kryetar të PS-së. Teksa flet për mundësinë e uljes së palëve në tavolinë me ndërmjetësimin e Presidentit Meta, Duma u shpreh se do ta pranojnë Ramën në tavolinë vetëm si kryetar të PS-së. Ndërsa nesër Basha pritet të paraqesë platformën e qeverisë tranzitore, Duma foli për principet kryesore të kësaj qeverie.
“Principet e kësaj platforme kanë të bëjnë me principet që duhet të caktojë qeveria për të shkuar në një rrugë zgjidhje.
Kanë të bëjnë qysh nga kontratat e punës në administratës, tek karta e identitetit, të gjitha detyra ekzekutive të qeverisë. Besoj që kohëzgjatje do jetë deri në zgjedhjet e reja parlamentare.
Nuk kemi një propozim individual dhe nuk jemi duke caktuar kryeministrin as individin dhe as forcën. Mjafton vetëm të mos jetë Rama.
Rama në çfarëdolloj situate nuk do jetë në krye të kësaj qeveria. Rama mendoj se në sensin e partive politike ai do jetë në tryezë, pro si kryeministër i vendit për ne nuk e ka më këtë target.
Unë ia kam hequr vetës mandatin dhe vazhdoj të njoh ty si kryeministër?! Në këtë sens nuk mund të ishte si kryeministër sepse do të ishte një goditje kundër vetes.
Si kryeministër nuk mund të pranohet, por si pjesë e PS nuk kemi legjitimitetin të themi se nuk mund të jetë”, tha Duma për ABC Neës.
Më tej ish-deputetja e PD-së u shpreh se Rama nuk ka shumë alternativa ndaj është i detyruar të shkojë drejt një zgjidhje.
“Pozita në të cilën kemi vendosur Ramën është një pozitë që nuk ka shumë alternativa dhe është i detyruar të shkojë drejt një zgjidhje konsensuale.
Ajo çka negociohet është tejkaluar mes formales dhe reales, dhe një marrëveshje tashmë është shkelur nga ana e tij.
Ne nuk jemi në Shqipërinë e cila nuk ka ligjet e duhura ne jemi në Shqipërinë që nuk i aplikon ligjet e duhura. Ne e dimë që ai ka lidhje individuale me ata komponentët të krimit që janë problematikë në Shqipëri.
Sikur ne të presim kohëzgjatjen e drejtësisë për të ndërtuar demokracinë besoj se nuk do arrijmë kurrë.
Ky monitorimi nga ndërkombëtarët është si puna e monitorimit të zgjedhjeve ditën e zgjedhjeve. Nuk ndodh vjedhja e votës në kutinë e zgjedhjeve, nuk ndodh atë ditë”, tha Duma.
/a.meta