Tashmë është zyrtare, skuadra e Brescia, sezonin e ardhshëm do të aderojë në ligën më elitare të Italisë, Seria A dhe bashkë me ekipin edhe mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Emanuele Ndoj.
Futbollisti që ka debutuar me përfaqësuesen kuqezi që prej majit të vitit të kaluar, pasi ka qenë më parë pjesë e ekipeve zinxhir që nga 2012, është bërë pjesë e skuadrës së Brescia që para tre vitesh, kur u ble nga ekipi U-19 i Romës, aty ku qëndroi në huazim deri në qershor të vitit 2016.
Brescia siguroi promovimin në Seria A, pasi sot, në ndeshjen e vlefshme për javën e 34-t ka fituar në shtëpi ndaj Ascoli me rezultatin minimal 1-0.
Një fitore shumë e rëndësishme kjo për Brescia që siguron rikthimin në elitën e futbollit italian që dy javë para përfundimit të kampionatit në Seria B, falë pozitave në krye të klasifikimit në kuotën e 66 pikëve, 7 më shumë se Palermo i vendit të tretë.
Festë për Brescia dhe shqiptarin Ndoj që gjithsesi nuk ishte në këtë ndeshje në fushë dhe as në pankinë, për shkak të një dëmtimi të pësuar që në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Lecce, ku u detyrua të lërë fushën para përfundimit të takimit.
Ndoj tashmë do t’i bëjë shoqëri e njëherësh do të sfidohet me shqiptarët e tjetër të kombëtares kuqezi që aderojnë në Seria A, respektivisht Hysaj te Napoli, Strakosha te Lazio, Berisha e Djimsiti te Atalanta, dhe Veseli te Empoli, në rast se ky i fundit do të arrijë t’i shpëtojë rënies në Serinë B.
/a.r