Industria e turizmit zë një vend të rëndësishëm në ekonomi dhe është një burim i madh dhe i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Turizmi mund të japë një kontribut të rëndësishëm në tre dimensione të zhvillimit të qëndrueshëm, të krijojë vende pune, të gjenerojë mundësi tregtare për të njohur nevojat dhe mbështetur aktivitetet e turizmit, të krijojë kapacitetet e rëndësishme që promovojnë përparësitë për ruajten mjedisore dhe larminë kulturore.
Muzetë, parqet arkeologjike dhe kalatë në vendin tonë janë vizituar nga një numër i lartë turistësh vendas dhe të huaj. Sipas të dhënave të INSTAT në periudhën 2014-2018, numri i vizitorëve që kanë vizituar parqet arkeologjike, muzetë, dhe kala e monumente të tjerë ka qenë afërsisht 3 milionë persona me një rritje 49,4 % për vitin 2018.
Gjatë vitit 2018, numri i vizitorëve që kanë vizituar kala dhe monumente të tjerë ka pasur rritjen mesatare vjetore më të lartë me 53,4 %, i ndjekur nga numri i vizitorëve në muze me 51,2 %, krahasuar me vitin 2017. Numri i vizitorëve në parqe arkeologjike gjatë 2018 ishte 377,835 një shifër kjo mjaft e lartë krahasuar me vitin 2014 ku numri i vizitorëve ishte 175,472.
Numri i vizitorëve në muze gjatë 2018 ishte 303,963 kurse në 2014 ky numër ishte 135,578. Gjithashtu numri i vizitorëve në kala dhe monumente të tjera në vendin tonë përgjatë 2018 është 380,656, ku në 2014 numri i vizitorëve ka qenë 93,194. Numri total i vizitorëve në këto atraksione turistike gjatë 2018 ishte 990,454 kurse në 2014 ky numër ishte 404,244.
Këto shifra tregojnë se turistët e huaj dhe vendas përveç turizmit veror kanë një interes në rritje për vlerat kulturore dhe asetet e trashëgimisë.
g.kosovari