Policia e Kurbinit ka vënë në pranga një 27-vjeçar që ishte shpallur në kërkim nga drejtësia belge si pjesë e një grupi kriminal.
Operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Task Forcën “Anti Skifter” pranë Policisë së Shtetit.
Policia deklaron zyrtarisht se është arrestuar shtetasi E.K., 27 vjeç, banues në Kurbin për llogari të drejtësisë belge në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar të koduar “Pikaso”, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e vjedhjeve të banesave dhe të pronave në Belgjikë e në qytetet e tjera belge.
Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuat 8 shtetas shqiptarë, 3 prej tyre në Shqipëri dhe 5 në Belgjikë.
“Në bazë të informacioneve të marra në rruge operative dhe pas një punë të mirë organizuar, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit E.K., 27 vjeç, banues në Kurbin, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me vendim të datës 25.04.2019 ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprat penale në ngarkim të tij ‘Vjedhje më shumë së njëherë’, ‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Kryerja e veprave kriminale nga grup i strukturuar kriminal’”, bën të ditur policia.
Një vit më parë pati të tjera arrestime në kuadër të këtij operacioni.