Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, është përfshirë në një debat të nxehtë me një analist sporti, pas barazimit të skuadrës së tij 1:1 me Interin në Serie A. Trajneri italian e ka quajtur analistin të padijshëm rreth lojës së futbollit në praktikë, pas kritikave që mori nga ai.
Analisti i sportit në Sky Sport Italia, Lele Adani, e kritikoi qasjen negative të shumë trajnerëve italian në Evropë, përfshirë të trajnerit të Juventusit. Allegri, Juventusi i të cilit u eliminua nga Liga e Kampionëve në çerekfinale pas humbjes nga Ajaxi në shtëpi, nuk u përmbajt dhe i reagoi ashpër Adanit.
“Në Itali të gjithë janë bërë teoricien të futbollit dhe ky është problem i vërtetë. Tani, ju mbylleni gojën sepse unë po flas. Ju nuk dini gjë për futboll”, iu përgjigj me zemërim Allegri atij.
“Ju uleni pas tavolinës suaj, i lexoni librat tuaj, por nuk dini asgjë për sportin në praktikë. Unë i kam fituar gjashtë tituj në Serie A”, shtoi ai. (Lexo.al)