Një grua është vrarë dhe tre persona të tjerë janë plagosur, pasi një person hapi zjarr në një sinagogë në Kaliforninë Jugore, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes, tha policia.
Policët e identifikuan të dyshuarin si John Earnest, 19 vjeç, banor i një qyteti pranë vendit ku ndodhën të shtënat. Ai u largua nga vendi i ngjarjes, por policia arriti ta arrestojë atë, pak kohë më pas.
Personi, i cili e identifikoi veten si John Earnest kishte postuar online një orë para sulmit një shkrim kundër hebrenjve. Zyrtarët thanë se ky person po hetohet edhe për zjarrvënienë një xhami muajin e kaluar.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur “ngushëllimet për familjet e personave të prekur” nga kjo ngjarje, duke dënuar “antisemitizmin”. Sherifi Bill Gore u tha gazetarëve se sulmuesi kishte hyrë në sinagogën Chabad Poway në orën 11:23 sipas kohës lokale dhe ka hapur zjarr “me një pushkë të tipit AR”, përpara se të largohej.
Pushkët AR-15 shpesh përdoren në sulmet në Shtetet e Bashkuara. Sulmi me armë ndodhi në kohën kur besimtarët po festonin Pashkët hebreje. Një nga viktimat ndërroi jetë në spital dhe tre të tjerë janë në gjendje stabile, njoftuan zyrtarët amerikanë.
Sulmi në sinagogë vjen gjashtë muaj pasi një supermacist i bardhë vrau 11 persona në një sinagogë në Pitsburg. Ky sulm konsiderohet më vdekjeprurësi ndaj komunitetit hebre në SHBA. (BW)