Borussia e Dortmundit dështoi në mënyrë fatale në derbin e Ruhrit përballë Schalke 04, teksa humbi me rezultatin 2-4 brenda në “Signal Iduna Park”, duke “vrarë” shpresat për titullin kampion.
Schalke u ringjall pas një ecurie shumë negative, pikërisht në sfidën më të ndjerë të futbollit gjerman, që konsiderohet edhe si nga takimet derbi më të zjarrta në botë.
Edhe pse e nisi sfidën menjëherë me gol, falë finalizimit të Mario Gotzes në minutën e 14-të, Dortmundi i Favre u dorëzua pa kushte përballë “Bluve Mbretërorë”, të drejtuar nga Huub Stevens.
Schalke përmbysi shifrat që në 28 minutat e para me Caligiuri dhe Sane, ndërkohë që sfida u bë shumë më e vështirë për Dortmundin, kur në harkun e pak minutave, nga e 60-ta në të 65-ën, kapiteni Marco Reus dhe mbrojtësi Wolf u ndëshkuan direkt me karton të kuq për dy ndërhyrje të rënda ndaj të njëjtit lojtar, 22-vjeçarit Suat Serdar.
Në të 62-tën faulli i shkaktuar nga Reus u kthye në gol nga Caligiuri, që me një goditje fantastike, i çoi shifrat në 1-3. Në 10 minutat e fundit të sfidës, edhe pse me 2 lojtarë më pak, Dortmundi u rikthye në lojë me golin e Witsel, por rezultati 2-3 qëndroi për fare pak minuta, pasi Embolo me golin e tij vulosi fitoren e Schalkes.
Në ndeshjet e tjera të kësaj jave spikat fitorja e Leipzig 2-1 ndaj Freiburg me skuadrën nga Gjermania Lindore që siguroi matematikisht kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm, ndërkohë që gaboi sërish Frankfurti që u ndal në barazim pa gola 0-0 në shtëpi nga Hertha e Berlinit, duke vendosur në rrezik vendin e 4-t.
/a.meta