Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti, të enjten kanë dorëzuar në Pallatin e Drejtësisë, kallëzim penal ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli në lidhje me, siç thanë, “akuzat e rreme ndaj tyre për pjesëmarrje në grupin terrorist ‘Syri i Popullit'”.
“Albini dhe unë, padrejtësisht dhe me shpifje nga presidenti i shtetit, jemi lidhur me një organizatë që pretendohet të jetë terroriste, ‘Syri i Popullit’. Kjo do të thotë ndërhyrje politike e drejtëpërdrejtë në sistemin e drejtësisë, që përmes sistemit të drejtësisë të goditen kundërshtarët politikë”, tha Konjufca.
Gjykimi i filluar në mars të vitit të kaluar ndaj pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur, “Syri i Popullit”, pritet të përfundojë këtë vit. Në fund të vitit që lamë pas, pjesë e këtij procesi gjyqësor u bënë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët dëshmuan në këtë rast.
Të dy këta liderë të Kosovës, së bashku me shumë ish-drejtues tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin në listën e personave që kjo organizatë i konsideronte tradhtarë dhe planifikonte t’i likuidonte.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, që organizatën “Syri i Popullit”, e cilëson si terroriste, pjesëtarët e saj akuzohen se po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.
g.kosovari