Nga Eduard Zaloshnja
Koalicioni që e bëri Edi Ramën kryeministër mori një milion vota. Fill pasi u bë kryeministër, ai krijoi shprehjen “1 milion shuplaka ndaj Berishës”, të cilën, në vitet që pasuan, e përdori si refren, sa herë që ky i fundit e kritikonte në Kuvend.
Në mandatin e dytë si kryeministër, Rama nuk i ka përmendur më “1 milion shuplakat”, sepse një pjesë e tyre (ato të LSI-së) kaluan në opozitë ndaj tij. Por në javët në vijim mund ta dëgjojmë përsëri këtë shprehje, sepse ai ka deklaruar që, në qoftë se opozita i bojkoton zgjedhjet e 30 qershorit, numri i pjesëmarrësve do të jetë 1 milion, pavarësisht se për kë do të votojnë ata.
A është i realizueshëm ky numër?
Le të analizojmë numrat paraardhës. Në zgjedhjet lokale të 2015-ës, numri i pjesëmarrësve ishte rreth 1.6 milionë. Po aq ishte numri i pjesëmarrësve edhe në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Por nëse para katër vjetësh LSI-ja ishte në koalicion me PS-në, parvjet ishte në garë për jetë a vdekje me të. Dhe pas zgjedhjeve, LSI-ja iu bashkua frontit opozitar të PD-së.
Të dyja këto parti morën gjithsej 680 mijë vota parvjet. Ndërkohë, PS-ja mori 765 mijë vota dhe partitë e tjera (PDIU, PSD, LIBRA etj. etj.) morën 145 mijë vota (shihni grafikun shoqërues).
Që të dalin në zgjedhjet e 30 qershorit 1 milion votues, duhet që votuesit e PS-së të dalin të gjithë, dhe përveç tyre, të dalin edhe 235 mijë votues të tjerë (të partive të vogla, të pavarur dhe të zhgënjyer të ndryshëm). Në letër duket i thjeshtë ky objektiv, por realiteti mund të sjellë dy skenarë, që secili në mënyrën e vet, mund ta bëjë të pamundur.
Skenari 1 – Zgjedhje pa trazira
Paralajmërimet e Berishës për përplasje civile mund të jenë thjesht një blof i tij, për t’i bërë kanceleritë perëndimore ta peshojnë më me seriozitet kërkesën e opozitës për një qeveri tranzitore pa Edi Ramën. Por deri ditën e zgjedhjeve, perëndimorët nuk e ndryshojnë qëndrimin aktual, duke i bërë thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në votim, dhe duke e paralajmëruar opozitën që të mos përdorë dhunë gjatë procesit të votimit.
Ditën e votimit, si zakonisht, shënohen vetëm incidente të vogla sporadike, dhe praktikisht, cilido që dëshiron të votojë mund të shkojë tek kutia e votimit pa shqetësim.
Në një skenar të tillë, objektivi i “1 milion shuplakave” duket mëse i arritshëm.
Por paradoksalisht, qetësia e ditës së zgjedhjeve mund të ndjellë mospjesëmarrje. Në kushtet kur në garë do të jenë kandidatët e PS-së përballë atyre të partive të vogla apo të pavarurit, vetëm përkrahësit e këtyre të fundit do të jenë të motivuar për të votuar (ata duan të japin mesazhin e pakënaqësisë me partitë e mëdha). Ndërsa nga 765 mijë e votuesit e PS-së, ndoshta vetëm gjysma do ta marrin mundimin për të votuar – kandidatët e PS-së do ta kenë praktikisht të siguruar fitoren pothuaj në të gjitha bashkitë.
Kështu që pjesëmarrja mund të jetë goxha poshtë 1 milionëshit…
Skenari 2 – Zgjedhje me trazira
Paralajmërimet e Berishës për përplasje civile materializohen në 30 qershor. Në shumë qendra votimi ndodhin përplasje mes përkrahësve të opozitës dhe policisë, e cila e ka të vështirë të garantojë zhvillimin normal të zgjedhjeve. Ndërkohë, mediat vendase e të huaja i transmetojnë drejtpërdrejt përplasjet.
Në një skenar të tillë, 765 mijë votuesit e PS-së do të jenë të motivuar të shkojnë në kutitë e votimit, për t’i dhënë Berishës mesazhin se nuk tuten nga kërcënimet e tij (pavarësisht se mund të kenë pakënaqësi të shumta nga qeverisja e derisotme e Ramës).
Por e njëjta gjë nuk ka gjasa të ndodhë me zgjedhësit që kanë ndërmend të votojnë për kandidatët e partive të vogla apo të pavarurit.
Këta votues, në kushtet e dhunës masive në qendrat zgjedhore, mund të mos e marrin përsipër rrezikun për të shkuar në kutitë e votimit.
Në kushte të qeta, ata mund ta bëjnë një sakrificë të vogël, e të shkojnë në votim (për të dhënë mesazhin e sipërpërmendur), por në kushte dhune, kostoja e dhënies së mesazhit të tyre mund të jetë tepër e lartë.
Kështu që pjesëmarrja mund të jetë goxha poshtë 1 milionëshit…
/afp.al