Nga Ylli Pata
Një konferencë shtypi e më shumë se gjashtë personazheve të njohur në vend sot edhe pse u transmetua në lidhje direkte televizive, u komentua jo aq shumë.
Bëhet fjalë për marrëveshjen që Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Dashamir Shehi, Agron Duka e Bujar Nishani si kryetar i KK-së së PD-së firmosën sot në një nga hotelet e Tiranës.
Realisht politikisht nuk se kishte një zhvillim të ri, pasi pritej e dihej se opozita që doli jashtë sistemit nuk do të merrte pjesë në zgjedhje.
Në fakt ajo që bëri përshtypje në shpallien e Dekalogut të gjashtëshes plus një opozitare ishte lehtësia me të cilën ky grupim deklamoi rrëzimin e establishmentit apo elitës së vjetër politike, duke sjellë në vend një sistem të ri.
Pasi vetëm prezenca live e këtij grupimi politik është një dëshmi muzeale e sistemit politik shqiptar 27 vjeçar-asambli më përfaqësues që elitat politike e mbajnë peng karriken edhe me dhunë vetëm e vetëm për të mos u larguar.
Duhet thjesht të bësh me mendje një CV të shkurtër të këtyre njerëzve që kanë qenë realisht vetëm në pushtet me të gjitha partitë apo paritë që kanë qeverisur këtë vend.
E marrim nga fundi:
Agron Duka.
Hyri në politikë në vitin 2000, si pjesëtar i familjes së fuqishme “Koka” në Durrës, e lidhur fort me Fatos Nanon asokohe kryeministër. Në fillim prefekt, më pas Ministër i Bujqësisë, deputet i Shijkut me PS-në, në 2013-n do të largohet nga socialistët pasi Edi Rama nuk e kandidoi për deputet.
Lidhet me Fatmir Mediun e fiton deputet në qarkun Durrës për koalicionin e PD-PR.
Në 2016 i merr Partinë Agrare Lufter Xhuvelit dhe bëhet kryetar, por qëndron me Bashën, edhe pse ka kërcënuar disa herë largimin. Është i vëllai i Presidentit të FSHF-së dhe familjar i afërt i deputyetit të LSI-së që nuk e ka lënë Kuvendin, Lefter Koka.
Vangjel Dule
Kryetar i një partie që në opozitë ka qenë në vitet 2009-2013, por që u kthye sërish në vitin 2014 për shkak se Edi Rama jo vetëm u acarua me Athinën, por u afrua edhe me Erdoganin dhe bëri aleat të ngushtë Shpëtim Idrizim e Çamëve. PBDNJ-ja ka qenë përpara vitit 2009 gjithmonë në koalicionet qeveritare me të majtën dhe të djathtën.
Bashkimi më i bujshëm i koalicionit mes PBDNJ-së dhe PD-së është aleanca për të fituar Vasil Bollano në Himarë. Dule e ka nisur karrierën si krahu i djathtë i Janullatusit dhe më pas gjithmonë deputet e drejtues i partisë së tij që e degdisi nga një forcë me mbi 5 deputetë në një grupim që nuk zgjedh dot as një parlamentar.
Shpëtim Idrizi është një nga rastet më embematike të politikës që e kthen xhaketën pa ju dridhur qerpiku fare. Hyri në politikë si socialist, në vitin 2005 ku u zgjodh deputet në një zonë bastion të së majtës si ajo Brrylit, RRugës Bardhyl, Oxhakut e Xhammlikut, pasi gëzoi nga një mandat si drejtor i përgjithshëm doganash dhe drejtor i përgjithshëm i Tatimeve, falë afërsisë me Fatos Nanon.
Pas një bashkëjetese jo shumë të lehtë me Edi Ramën si kryetar partie arrin të marrë drejtimin e qarkut Vlorë nga PS me sistemin e ri politik në 2009, pra atë të listave në 12 qarqe.
Nuk zgjat shumë si deputet socialist i Vlorës pasi në vitin 2010 i merr partinë PDI Tahir Muhedinit, nismatarit të përfaqësimit të çamëve në politikë dhe krijon PDIU ku bëhet kryetar i saj.
Hyn në koalicion me PD-në dhe merr pjesë të qeverisjes. Në zgjedhjet e vitit 2011, PDIU ishte pjesë e rëndësishme e koalicionit që synonte në mundte Edi Ramën në Tiranë e të zgjidhte Lulzim Bashën si Kryebashkiak.
Edhe në vitin 2013 shkon në zgjedhje si aleat i PD-së, ku i “kafshon” listave të saj 5 deputetë.
Nuk kaloi as një vit edhe kalon në koalicion me Edi Ramën. Madje bëhen aq të ngushtë sa në vitin 2016 kjo aleancë arrin të mundtë PD-në në bashkinë Dibër edhe pas një gjysëmbraktisje të koalicionit të majtë nga Ilir Meta.
Në maj të vitit 2917 Shpëtim Idrizi bashkohet me Metën, Berishën, Mediun e disa parti të tjera që rrethuan Edi Ramën në kryesinë e Kuvendi me presionin që ta bënin që të largohej nga qeveria. Kryeministri kërkoi leje të takonte pak Bashën dhe doli që andej me një marrëveshje të firmosur që zboi të vegjlit nga tryeza. Pas kësaj date, Idrizi largohet për një kohë të gjatë nga jeta publike dhe bëhet i gjallë vetëm në fillimin e këtij viti kur lidh aleancën me Lulzim Bashën.
Dashamir Shehi: ministër, zv.kryeministër, deputet, kryetar partie që prej vitit 1992. Ka një oratori të spikatur, gëzon përkrahje nga shtresa qytetare për shkak të gjuhës së tij me edukatë edhe kur flet me tone të hidhura. Ka hyrë në politikë me flokë të zinj dhe tani është i moshuar. Një “dinosaur” në kuptimin e plotë të fjalës, edhe pse në vendet e tjera të rajonit dhe botës, këto qënie Jurasiç-e janë zhdukur prej kohësh.
Monika Kryemadhi
Edhe pse në politikë ka hyrë si aktiviste rinore që në vitin 1991 ku dhe u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e FRESSH-it, ajo u bë shumë influente pas vitit 1998 kur Ilir Meta, bashkëshorti i saj u zgjodh Kryeministër i Shqipërisë. U zgjodh deputete e PS-së në vitin 2001, por pushteti i lobit të saj ishte shumë i madh jo vetëm tek e majta shqiptare. Zoti Meta ka qenë Ministër, Zv.kryeministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi e sot President.
Në vitin 2005 zonja Kryemadhi së bashku me të shoqin krijoi LSI-në e cila në vitin 2009 qeverisi për 4 vjet më PD-në dhe në vitin 2013 për katër vjet me PS-në. Shto këtu edhe aleancën për pushtetin vendor ku fitoi disa kryetar bashkie.
Lulzim Basha në moshë është më i riu por me poste jam err të gjithë atyre që kishte në tavolinë sot. Në vitin 2005, sapo katapultohet në politikë prej Sali Berishës bëhet ministër i Transporteve. Më pas në vitin 2008 emërohet ministër i Jashtëm dhe në vitin 2010 ministër i Brendshëm.
Në vitin 2011 zgjidhet kryetar i bashkisë së Tiranës post që e dorëzon pas 4 vitesh duke mos kandiduar. Në vitin 2009 drejton PD-në e Elbasanit, duke siguruar për herë të parë një barazim deputetësh me PS_në. Ambasada e SHBA shkroi në kaplogramet e saj se Basha kishte përdorur njerëz të dënuar për vrasje e trafiqe, që i kishte nxjerrë nga burgu për t’I përdorur në zgjedhje.
Në vitin 2013 zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike në një garë me të ndjerin Sokol Olldashi, garë e cila u kontrollua nga ish-kryeministri Sali Berisha, ku sipas provave të dalë në media ishte totalisht e trukuar.
Pra më e pakta e çdo-njërit prej aktorëve të tryezës së revolucionit ka qenë më shumë se njëherë ministër.
Në çdo vend të botës kur nuk arrin dot të rinovosh mandatin në zgjedhje, një veteran i politikës tërhiqet qetësisht dhe vështron situatën nga larg për të shërbyer si analist apo shkruan kujtimet. Kurse këtu…TemA