83 ankesa të bizneseve janë depozituar apo janë trajtuar nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, vetëm gjatë muajit mars. Sipas raportit mujor të publikuar nga ky dikaster, numri I ankesave është dukshëm më i lartë në krahasim me raportet e mëparshëm, ndërkohë që ajo që bie në sy në këtë raport është fakti se janë trajtuar ankesa të cilat janë depozituar 5 muaj më parë.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ajo e Tatimeve, Ministria e Ekonomisë dhe Financave apo Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë disa prej institucioneve, ndaj të cilëve biznesi ka depozituar numrin më të lartë të ankesave. Ndërkohë që, natyra e problematikave të ngritura varion sipas dikastereve, ku nuk mungojnë gjobvëniet e padrejta, vonesa në rimbursimin e TVSH-së e deri te dhënia e padrejtë e koncesioneve në fushën e naftës.
Ndërkaq, për muajin mars ministria raporton një sërë takimesh me shoqatat e biznesit, në lidhje me problematikat që ato hasin si dhe vendosjen e kontakteve të reja me sipërmarrës që operojnë në fushën e agrobiznesit në vend. Gjithashtu, bëhet me dije se është mbështetur ngritja e Clusterit të parë të Industrisë së Drurit në vendin tonë, e cila konsiderohet si një eksperiencë e cila duhet promovuar edhe në sektorë ose industry të tjera, me qëllim nxitjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet e huaja. Scan