Politikani gjerman konservator, Manfred Weber deklaroi për një gazetë polake se do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të bllokuar gazsjellësin e mbështetur nga Rusia “Nord Stream 2” nëse arrin të zgjidhet kryetar i Komisionit Europian.
Sipas një interviste të dhënë sot për “Polska Times”, Weber tha se “nuk është në interes të Bashkimit Europian rritja e varësisë së bllokut ndaj gazit rus dhe se do të bëjë gjithçka që është brenda përgjegjësisë së tij për të parandaluar përfundimin e këtij gazsjellësi”.
Pasi të përfundojë, “Nord Stream 2” pritet të transportojë deri në 55 miliardë metra kub gaz natyral rus drejt Gjermanisë çdo vit, nëpërmjet një gazsjellësi 1200 kilometra të gjatë që kalon poshtë Detit Baltik.
Kritikët, përfshirë edhe presidentin amerikan, Donald Trump, theksojnë se gazsjellësi do të rrisë varësinë e Europës ndaj Rusisë, ndërkohë që mbështetësit shprehen se BE-ja ka nevojë për burime të sigurta të furnizimit me energji.
/a.rada