Pavarësisht se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka deklaruar publikisht se eficenca e energjisë është prioritet politik dhe ekonomik, masat e marra për realizimin e objektivave në këtë drejtim duket se po ecin me hapa të ngadaltë.
Ndërkohë që, rolin bllokues duket se po e luan vetë qeveria, që nuk po miraton aktet nënligjore do bënin të zbatueshëm legjislacionin në këtë drejtim, ndonëse draftet janë gati. Në raportimin e dytë vjetor pranë Komunitetit të Energjisë, Agjencia e Eficencës së Energjisë pranon se janë hartuar një sërë projekt-vendimesh të Këshillit të Ministrave, por miratimi i tyre planifikohet në 3-mujorin e fundit të vitit.
Më konkretisht, në raportim saktësohet se janë përgatitur projekt-vendime “Për miratimin e rregullores për kategoritë, kushtet, kualifikimet dhe kërkesat e përvojës për certifikimin e auditorëve të energjisë”, si dhe “Për miratimin e kategorive, kushteve dhe kërkesave të kualifikimit për menaxherët e energjisë në konsumatorët e mëdhenj të energjisë”.
Po ashtu, edhe krijimi i Fondit për Efiçiencë të Energjisë, mbetet në nivel drafti, ku sipas raportimit të Agjencisë është hartuar projekt-vendim i Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e fondit të efiçiencës së energjisë dhe kriteret për emërimin e anëtarëve të bordit drejtues dhe drejtorit ekzekutiv të fondit “ apo propozimi për manualin operativ të fondit dhe propozimi për statutet e fondeve.
Pak kohë më parë, edhe një raport monitorim i hartuar nga Akademia e Studimeve Politike nxori në pah se nga 16 akte nënligjore dhe rregullore të detyrueshme në drejtim të eficencës së energjisë, deri më tani janë miratuar vetëm 3 prej tyre. SCAN