Skadimi i afatit ligjor për regjistrimin e partive në zgjedhjet lokale përkon jo vetëm më pushim zyrtar të administratës së KQZ, por edhe me të dielën e Pashkëve. Për këtë arsye subjektet politike do kenë dy ditë më shumë kohë për t’u bërë pjesë e garës.
“70 ditë para datës së zgjedhjeve që i bie data 21 Prill është afati i fundit për regjistrimin e partive politike që do marrin pjesë në zgjedhje, por meqë është ditë e diel i bie të regjistrohen ditën e parë të punës që është data 23 prill, e martë”, tha Bledar Skënderi anëtar i KQZ.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj, vendosën të mos regjistrohen në zgjedhje. Por, anëtari i KQZ-së Bledar Skënderi sqaron se subjektet politike kanë edhe dy afate te tjera ligjore për tu bërë pjesë e procesit.
“Afat tjetër i rëndësishëm është afati i krijimit të koalicioneve, 60 ditë para datës së zgjedhjeve, partitë që duan të krijojnë koalicion parazgjedhor duhet ta depozitojnë pranë KQZ në datën 2 maj. Afat tjetër më rëndësi është afati për regjistrimin e kandidateve që është afati 13 maj”, sqaron Bledar Skënderi anëtar i KQZ.
Në një klimë të tensionuar politike, KQZ vendos të qëndrojë larg debateve partiake duke njohur si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, datën e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.
Data e dekretuar nga Presidenti, është data 30 qershor dhe KQZ po merr hapat e nevojshme që në 30 qershor të zhvillohen zgjedhje të lira dhe demokratike.
/a.meta