“Zgjedhjet nuk do të mund t’i pengojë asnjë parti që dëshiron që të kthehet në bandë”.
Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në emisionin “Repolitix” në Report TV, me moderator gazetarin Denis Minga.
Lleshaj tha se zgjedhjet do të mbahen në datën e caktuar, pra më 30 qershor 2019, pasi janë kryeinstitucioni demokratik mbi gjithçka, dhe askush sipas tij, nuk mund t’u heqë qytetarëve shqiptarë të drejtën për të votuar.
Lleshaj po ashtu tha se Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Deklarata vjen në përgjigje të qëndrimit që ish-kryeministri Sali Berisha bëri në një studio televizive kur tha se “për votën e lirë ja vlen çdo veprim që kur kombet kanë sakrifikuar për të ja ka vlejtur. PD është në betejë për jetë a vdekje me armikun më të egër, të votës e rendit që është Edi Rama. PD është për fitore, ose vdekje”.
“Nuk ka nevojë për koment. PD mund të tentojë të bëjë gjithçka që mendon në qasjen e saj për jetë a vdekje. Nuk e di se ç’mund të jetë kjo dilemë sot në këtë shekull. Shqiptarët e kanë provuar logjikën e antagonizmit jetik jetë a vdekje dhe do dinë ta përkthejnë vetë këtë retorik absolutisht të papranueshme, të paligjshme.
Zgjedhjet janë kryeinstitucioni demokratik mbi gjithçka. Kush mundohet t’i heqë shqiptarëve të drejtën e zgjedhjes po bën veprën më të rëndë penale. Çdo parti ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e veta, të jetë parti, të kthehet në bandë, por të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur s’jua ka dhënë njeri, e kanë fituar vetë, dhe atë të drejtë nuk ka mundësi t’jua heqë askush, sikur të përpiqemi, të bëhemi edhe bashkë. Ditën që vjen dita e zgjedhjeve, do bëhen zgjedhjet.
Unë besoj që Policia e Shtetit është plotësisht e aftë për të garantuar ligjshmërinë në Shqipëri. Tek zgjedhjet përveç policisë, janë qytetarët e vendit që janë mbi të gjithë, që do të ushtrojnë të drejtën e tyre.
Marrëzi në këtë vend kemi parë shpesh herë gjatë këtyre viteve, në ’96; ’97; ’98, shqiptarët kanë arkivuar mjaft memorje për të reflektuar. Historia përsëritet në trajtë komedie, për arsye se duhet të dimë: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s.
Nuk ndihem mirë teksa i dëgjoj këto thirrje në pragun e një vendimi historik për Shqipërinë që është hapja e negociatave për në BE”, tha Lleshaj.