ALBtelecom do të jetë me ju edhe gjatë shëtitjeve pranë liqenit artificial, përmes mbulimit me Wi-Fi falas të parkut më të madh të Tiranës.
Të gjithë qytetarët që vizitojnë parkun e liqenit tashmë mund të lundrojnë në internet, të ndajnë foto me miqtë në rrjetet sociale, të kontrollojnë postën elektronike, apo të dëgjojnë muzikën e tyre të preferuar përmes Wi-Fi falas, të mundësuar nga ALBtelecom. Por jo vetëm kaq! Nisma e quajtur “Friendly Wi-Fi” është një hap i rëndësishëm në një përpjekje për të parandaluar fenomene si bullizmi kibernetik si dhe mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi online.
Kjo nismë u promovuar dje, gjatë një shëtitje në park për të testuar përdorimin e shërbimit më të ri Wi-Fi, me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj, Drejtorit të Përgjithshëm të ALBtelecom, z. Tahsin Yilmaz si dhe përfaqësues të UNICEF në Shqipëri.
Si pjesë e strategjisë së ALBtelecom për të sjellë internet për të gjithë, z. Yilmaz ftoi qytetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi të re që është një vlerë e shtuar e një kryeqyteti modern si Tirana, duke premtuar vijimin e projekteve të tilla. “Cilido qoftë roli ynë, qëllimi i përbashkët është të përmirësojmë stilin e jetës, të përmirësojmë jetën tonë”, tha ai.
“Pas donacionit të infrastrukturës së Wifi në Sheshin Skenderbej në maj të vitit të kaluar, ky është kontributi ynë i dytë për qytetarët e Tiranës dhe Bashkinë. Ky bashkëpunim kaq intensiv me dy projekte tw Wifi falas në dy zonat më të frekuentuara të qytetit flet vetë për përkushtimin tonë. Dëshirojmë të ftojmë këdo për të lundruar në internet me cilësinë më të mire.” – përfundoi Yilmaz.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj shpjegoi për qytetarët e Tiranës këtë vazhdimësi të nismës së Bashkisë për të shtuar sa më shumë zona publike ku qytetarët, por sidomos fëmijët, mund të kenë mundësinë të shfrytëzojnë falas internetin në cilësinë më të lartë të tij, duke qenë njëkohësisht më pranë natyrës. “Lajmi i mirë është se kushdo që ka një celular, në vend që të qëndrojë në shtëpi, i zhytur në kolltuk apo në divan, mund të vijë dhe të lundrojë falas në internet tek liqeni. Me Albtelecom-in ky është projekti ynë i 40-të, po është i dyti i këtij lloji, pas sheshit “Skënderbej”, ku kemi hapësira që ofrojmë internet falas në natyrë”, tha Veliaj.
Interneti falas që do të përdoret përgjatë pedonales në buzë Liqenit, por edhe ai tek sheshi “Skënderbej”, janë të filtruar “internet friendly”, i cili mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia.
Ky projekt është një shembull i vazhdimësisë së projekteve të njëpasnjëshme të ALBtelecom në kuadër të përgjegjësisë sociale për komunitetin. Në ngritjen e infrastrukturës së ofrimit të shërbimit të internetit Wi-Fi, janë vënë në dispozicion pajisjet më avangardë. ALBtelecom do të vijojë me projekte të ngjashme për të qenë gjithmonë e më pranë qytetarëve, në përmbushje të misionit të saj për të sjellë internet për të gjithë.