Violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Çesari, ishte i ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” për të rrëfyer fëmijërinë e tij dhe rrugëtimin e një karriere të suksesshme. Ai tregoi se ka nisur t’i bjerë violinës që në moshën 3-vjeçare dhe prej asaj kohe prindërit e kishin nxitur të studionte, pasi kishin kuptuar që kishte vesh për muzikë.
“Unë kisha një jetë ushtarake në atë periudhë, nuk ia këshilloj asnjë kalamani atë lloj jete. Zgjohesha shumë herët në mëngjes dhe dilja, bëja gjysmë ore vrap dhe pastaj bëja një orë – një orë e gjysmë violinë e më pas shkoja në shkollë”, tregoi Oleni, duke lënë të kuptohej se në fakt fëmijëria e tij ka qenë shumë ndryshe nga ajo e fëmijëve të tjerë, edhe pse sot, sipas tij, çdo gjë ia ka vlejtur.
“Them se kam qenë me fat që kam bërë atë lloj regjimi, që sot kam një zanat që e adhuroj dhe më lejon të xhiroj botën, të bëj koncerte” shtoi më tej ai.
Së fundmi, Oleni është rikthyer në Tiranë për të dhuruar spektakël në datat 23 dhe 24 Prill. Bashkë me të do të jetë edhe një grup muzikantësh që vijnë nga vende të ndryshme të botës, për të ndezur atmosferën në Pallatin e Kongreseve.
/a.meta