Koreja e Veriut ka kërkuar largimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, nga bisedimet bërthamore, duke e akuzuar atë se thotë gjëra të pakuptimta dhe se është i nxituar.
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme tha se, bisedimet e mëtejshme do të ishin të vështira nëse Pompeo do të përfshihej, duke kërkuar që ai të zëvendësohet nga dikush tjetër më i kujdesshëm.
Kjo vjen ndërsa Koreja e Veriut njoftoi më herët se kishte testuar një armë të re taktike. Testi është i pari që nga takimi i shkurtit në Hanoi, mes liderëve të të dy vendeve, që përfundoi pa një marrëveshje.
Pompeo ka vizituar Korenë e Veriut 4 herë gjatë vitit të shkuar, përfshirë një takim me udhëheqësin Kim Jong-un. Javën e shkuar, gjatë një dëshmie në një Komitet të Senatit, Pompeo u pyet nëse ai do të ishte dakord me përshkrimin e Kim Jong-unit si një tiran.
“Sigurisht, unë e kam thënë këtë”, u përgjigj ai. Kjo u prit me reagime të ashpra nga Koreja e Veriut, që e fajësoi Pompeon madje, edhe si fajtor për ndërprerjen pa asnjë rezultat të takimit të Hanoit.
E gjithë kjo vjen në një kohë kur Kremlini njoftoi se Kim Jong-un planifikon të vizitojë Rusinë brenda 12 ditëve të ardhshme. Në një deklaratë për shtyp, Kremlini tha se Kim ka pranuar një ftesë të presidentit rus Vladimir Putin, e pritet të jetë në Moskë në gjysmën e dytë të muajit prill.
/a.meta